Shprehja “fajin e ka Saliu” u bë refren i Edi Ramës gjatë kohës kur ishte në opozitë, dhe ndoshta e ndihmoi sadopak në fitoren e zgjedhjeve të vitit 2013, kur erdhi për herë të parë në qeveri.
Por, edhe pas 13 vitesh në pushtet, ai refren duket sikur nuk ka ikur kurrë nga Rama, i cili vijon ta përdorë sa herë dalin në pah skandalet e qeverisë së tij. E fundit ishte përmbytja pas pak ditëve shi në vendin tonë, që nxori në pah mungesën e investimeve, pavarësisht se janë dhënë qindra milionë euro tendera.
Madje, nxori edhe deputetët të thonin me krenari se rrugët ishin ndërtuar keq nga qeveria e 2009-ës, ndaj po shembeshin, ndërkohë që rrugët e ndërtuara vetëm para 1 viti e që kanë kushtuar qindra milionë euro, po shemben ditë pas dite.
Pavarësisht se kanë kaluar rreth 13 vite që kur Partia Socialiste ka marrë pushtetin, Edi Rama vijon të fajësojë të tjerët për dështimet e tij, duke vijuar të flasë sikur të ishte lider i opozitës, dhe jo kryeministri më jetëgjatë në vendin tonë.
Të njëjtën gjë e bëri edhe dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Pas shumë viteve vlerësim për Ministrinë e Jashtme, sidomos kur hapeshin kapitujt apo gjatë tryezave me ambasadorët, kryeministri vendosi dje që me një fjalim të hedhë poshtë të gjitha ato që i ka thënë për vite me radhë.
Ai e cilësoi Ministrinë e Jashtme një dështim, një institucion që nuk është në funksion të sfidave që ka Shqipëria për integrimin në BE. Por, a nuk është ky kryeministër që ka bërë eksperimente me atë ministri?
Nga Gent Cakaj, te Olta Xhaçka “strategjike” e deri tani te Elisa Spiropali, Ministria e Jashtme ka ndërruar disa drejtues, por asnjëri nuk ka mundur të jetë në lartësinë e detyrës. Përjashtim bën paksa Ditmir Bushati, i cili u largua pas mosmarrëveshjeve me Ramën.
RTSH është një tjetër institucion që shpërdoron prej vitesh taksat e shqiptarëve, por vetëm dje kryeministrit Edi Rama i shkoi në mendje që televizioni publik mund edhe të mbyllet, pasi nuk e shikon më asnjë.
Pasi e përdori si institucion qokash, ku vendosi në krye edhe ish-deputetë të tij si Alfred Peza, dje kryeministri bëri deklaratën e madhe, që ndoshta është duke e përdorur për të hequr vëmendjen nga çështje të tjera të mëdha që po ndodhin në vendin tonë.
Ka edhe shumë akuza të tjera që kreu i qeverisë u bën institucioneve që qeveria e tij i ka në varësi, pasi hedhja e fajit diku tjetër është mënyra se si Rama mendon se do t’i bindë qytetarët se ai nuk është aspak fajtor për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria.
Por, pavarësisht se Rama mund t vijojë të flasë si lider opozite edhe pas 13 viteve në pushtet, asgjë nuk mund t’i mbulojë skandalet e qeverisë së tij, nga inceneratorët, te sterilizmi e deri sot te tuneli i Llogarasë apo AKSHI, e për të kaluar te përrallat me satelitë apo parqe teknologjike.
Pas 13 vitesh në krye të qeverisë, Edi Rama nuk mund të vazhdojë të sillet sikur është ende në bankat e opozitës, duke shpikur fajtorë sa herë realiteti e nxjerr zbuluar. Institucionet që ai sulmon janë krijesa të qeverisjes së tij, ndërsa skandalet që shpërthejnë njëri pas tjetrit janë pasojë e një pushteti të pakontrolluar.
Pas më shumë se një dekade në pushtet, Rama nuk ka më kë të fajësojë përveç vetes.