Arratisja e Altin Ndocit, arrestohet ish-drejtori i burgut të Durrësit

Është vënë në pranga ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Ky i fundit u shkarkua nga detyra pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, nga spitali i Durrësit më datë 13 janar, ku kishte shkuar për disa kontrolle mjekësore.

Aktualisht nuk dihen shumë detaje rreth arrestimit të Cërlojt, por Drejtoria e Burgjeve përmes një reagimi një ditë pas arratisjes së Ndocit, nënvizoi se nuk u njoftuan nga IEVP Durrës për planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi, duke shkelur protokollet.

Aktualisht Ndoci, i akuzuar nga SPAK për disa vepra penale, vijon të jetë ende në arrati, ndërsa familjarët e tij kanë thënë se nuk e dinë se ku ndodhet.

Ndoci, i akuzuar për 4 vrasje, teksa ishte dërguar në spital për disa kontrolle mjekësore i ka kërkuar njërit prej policëve që e shoqëronte se do të shkonte në tualet. Sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur policin dhe është larguar me shpejtësi.

Plani për arratisjen ka qenë i mirëmenduar pasi jashtë ambienteve të spitalit, atë e pristë një makinë Audi A7 e bardhë dhe më pas janë larguar në drejtim të Spitallës.