Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim mbi kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, lidhur me tre vendimet e gjykatave më të ulëta për masën e arrestit shtëpiak, duke arritur në përfundimin se kohëzgjatja e kësaj mase ka qenë e tejzgjatur.
Burime për mediat bëjnë me dije se vendimi është dhënë në përfundim të seancës, pa praninë e palëve, lidhur me dosjen “Partizani” ku Berisha akuzohet për korrupsion.
Çështja lidhet me qëndrimin e mbajtur nga avokatët e Berishës gjatë seancave të raportimit dymujor, ku ata kundërshtonin vazhdimisht kërkesën e SPAK, i cili insistonte në vijimin e masës së arrestit shtëpiak.
Kujtojmë se Sali Berisha, ish kryeministër akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin.