Brukseli pezullon fondet për sektorin dixhital, SHBA ndalon vizat emigruese… çfarë po ndodh me Shqipërinë?

Teksa Rama dhe socialistët i gëzoheshin dekoratës që kreu i qeverisë mori në Emiratet e Bashkuara Arabe, brenda 1 dite Shqipëria mori dy lajme aspak të mira nga SHBA dhe nga Bashkimi Europian.

Presidenti Donald Trump vendosi ta fusë Shqipërinë mes 75 vendeve të cilave do t’u pezullohen vizat emigruese për një afat të pacaktuar.

Ky vendim nuk është thjesht administrativ, por tregon se SHBA e sheh Shqipërinë si një vend problematik, që nuk garanton standarde të mjaftueshme besueshmërie, teksa vendimi prek drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë.

Një vendim ndoshta edhe i pritshëm, pasi vetëm pak ditë më parë, vetë Trump publikoi një tabelë ku tregohej se 41.3% e familjeve shqiptare në SHBA përfitojnë nga asistenca sociale.

Por, si të mos mjaftonte pezullimi i vizave nga SHBA, Brukseli merr një tjetër vendim të fortë kundër Shqipërisë, pezullimin e fondeve për sektorin dixhital. Një sektor që u shndërrua në vitrinë propagande të qeverisë, por që sot rezulton të jetë një tjetër fushë e mbushur me afera korruptive, çfarë e tregoi më së miri edhe dosja e AKSHI-t.

Ky vendim i Brukselit pason atë të pezullimit të fondeve të programit IPARD për bujqësinë, që ishte ndoshta edhe goditja më e rëndë për vendin tonë, pasi bujqësia nuk është thjesht një sektor ekonomik, por mbijetesa e mijëra familjeve, sidomos në zonat rurale.

Fondet IPARD ishin menduar për të modernizuar fermat, e për t’i ardhur në ndihmë fermerëve shqiptarë, por ato iu dhanë miqve të pushtetit, që i përdorën për të ndërtuar vila e resorte luksoze.

Sot, këto fonde janë ngrirë sepse Brukseli nuk ka më besim se paratë e tij po përdoren ndershmërisht. Dyshimet për korrupsion, procedura klienteliste dhe mungesë kontrolli institucional e kanë kthyer Shqipërinë nga përfituese në një problem për BE-në.

Kështu që, në një hark të shkurtër kohor, Shqipëria po përballet me një seri vendimesh që nuk mund të jenë më rastësi. Bllokimi i fondeve IPARD për bujqësinë, pezullimi i financimeve të Bashkimit Europian për sektorin dixhital dhe ndalimi i vizave emigruese nga Shtetet e Bashkuara përbëjnë një treshe alarmi që shkon shumë përtej propagandës së përditshme qeveritare.

Të tre këto zhvillime kanë një emërues të përbashkët, krizën e besimit ndaj shtetit shqiptar, ndaj mënyrës se si qeveriset vendi. Korrupsioni, mungesa e ndëshkimit, kapja e institucioneve dhe përdorimi i fondeve publike nga pushteti kanë prodhuar këtë rezultat.

Pyetja që shtrohet nuk është më: Pse po na ndëshkon Brukseli apo pse po na kthen shpinën SHBA. Pyetja reale është: çfarë ka bërë shteti shqiptar që të humbasë këtë nivel besimi?

Nëse këto vendime nuk lexohen si alarm kombëtar, atëherë rreziku nuk është vetëm humbja e fondeve apo e vizave. Rreziku është normalizimi i izolimit, ndërsa propaganda vazhdon të flasë për suksese imagjinare.

Brukseli dhe Uashingtoni nuk flasin me fjalë, por flasin me vendime. Dhe sot, vendimet e tyre po thonë qartë se Shqipëria ka një problem serioz me mënyrën se si qeveriset.

Kjo është pyetja që duhet të shqetësojë çdo qytetar: jo çfarë po ndodh me botën, por çfarë po ndodh me Shqipërinë.