Rama do t’i shpëtojë drejtësisë, Kapri: 100 mijë firmat do të dorëzohen në Kongresin Amerikan

Partia Mundësia po mbledh 100 mijë firma pro drejtësisë për t’i dorëzuar ato edhe te partnerët ndëkombëtarë. Deputeti Erald Kapri ka zbuluar sot arsyen e nismës për mbledhjen e 100 mijë firmave, duke theksuar se synimi kryesor është që zëri i shqiptarëve të dëgjohet në arenën ndërkombëtare.

Sipas Kaprit, firmat do t’i dërgohen Kongresit Amerikan, Senatit, Departamentit të Shtetit dhe Parlamentit Europian, për të përcjellë një mesazh të qartë se shumica e shqiptarëve janë pro drejtësisë dhe kundër korrupsionit.

“Pse 100 mijë firma? Sepse zëri i shqiptarëve duhet të dëgjohet. Këto firma do t’ia dërgojmë institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare për të treguar se shqiptarët janë pro drejtësisë dhe kundër korrupsionit”, është shprehur Kapri.

Ai bëri të ditur se deri tani janë mbledhur mbi 15 mijë firma dhe u bëri thirrje qytetarëve të firmosin deklaratën në Tiranë dhe qytetet kryesore të vendit. Ndërkohë, për ata që nuk kanë mundësi të firmosin fizikisht, ekziston edhe mundësia online.

Kjo nismë vjen në një kohë kur përplasjet e politikanëve me SPAK janë të forta dhe Kryeministri Rama sipas Kaprit, po bën gjithçka për të bërë ndryshime në Kodin Penal me qëllim që të ndryshohen nene si ‘shpërdorimi i detyrës’ me të cilin SPAK ka nxjerrë para drejtësisë shumë zyrtarë të lartë.