Surprizë emri i Evis Kushit, Rama shkarkoi 2 ministret e skandaleve, kush janë emrat e rinj të kabinetit qeveritar

Ndryshimet në kabinetin qeveritar ishin të pritshme, ashtu si edhe emrat e ministrave që do të shkarkoheshin nga detyra, por edhe këtë herë kryeministri Rama nuk zhgënjeu, duke surprizuar me anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar.

Delina Ibrahimaj e “preu biletën” që në Korrik, por Rama vendosi që t’ja zgjaste qëndrimin në ministri deri sot, për të mos i bërë qejfin mediave që e nxorën lajmin përpara se ai ta njoftonte. Ibrahimaj i bëri “gjëmën” financave publike me rritjen e rrogave për administratën, me kostot që dolën jashtë kontrollit. Në vend të saj Rama solli në qeveri një emër të ri, Ervin Meten, që deri më sot kishte mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Olta Xhaçka o të duhej të ishte shkarkuar me kohë për shkak të skandaleve në të cilat është përfshirë, por vetëm sot Rama vendosi të mos i besonte më drejtimin e Ministrisë së Jashtme. Edhe në këtë ministri u emërua një emër i ri, Igli Hasani. Ky i fundit ka mbajtur më herët postin e Ambasadorit të Shqipërisë në OSBE dhe është një emër i “papërlyer” nga akuzta e opozitës.

Shkarkimi i Evis Kushit ishte surpriza e ditës së sotme. Ministrja nuk pritej që të largohej nga detyra, por Rama vendosi ta zëvendësojë me Ogerta Manastirliun, me këtë të fundit që ka qenë shpeshherë pjesë e skandaleve. Ajo është një nga ministret më të akuzuara nga opozita, sidomos me tenderat sekretë në kohën e pandemisë.

Korrupsioni me fondet e IPARD i “hëngri kokën” Frida Krifcës, që erdhi si minister e Bujqësisë me shumë entuzizëm, por pa mundur të lërë shenjë. Nuk la shenjë, por la një njollë të madhe në atë ministry, që tashmë do të drejtohet nga Anila Denaj, që rikthehet në qeveri pasi më herët kishte mbajtur postin e ministres së Financave.

Delina Ibrahimaj do të vijojë të mbetet në qeveri, pasi Rama i ka besuar Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen, duke zëvendësuar në këtë detyrë Edona Bilalin. Kjo e fundit do të mbahet mend vetëm për krahasimin e Ramës me Zeusin, pasi gjatë kohës si ministre nuk ka bërë asgjë për t’u vlerësuar.

Arbian Mazniku, krahu i djathtë i Erion Veliajt ka marrë postin e ministrit të Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, një ministri e re që zëvendëson Ministrinë për Standardet dhe Zhvillimet, e drejtuar më herët nga Milva Ekonomi.

Një emër i ri në qeveri ëhstë edhe ai i Albana Koçiut, e cila merr Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo ka mbajtur pozicionin e Drejtoreshës të Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013, duke qenë një nga personat e afërt të Ramës, me këtë të fundit që i beson një ministry shumë të rëndësishme.

Pritej që Elisa Spiropali të merrte drejtimin e një ministrie të rëndësishme, por mesa duket Rama ka preferuar që ta ketë sërish “snajper” në emisione, për të mos e ngarkuar me punë të rëndësishme, pavarësisht se ajo mban postin e Ministres së Shtetit për Parlamentin.