Si u mashtrua biznesmeni shkodran, i morën 40 mijë euro duke përdorur emrin e kryebashkiakut të Malësisë së Madhe

Zbardhen detaje të reja në lidhje me mashtrimin e një biznesmeni nga Shkodra, ku duke përdorur emrin e kryetarit të Bashkisë së Malësisë së Madhe i morën 40 mijë euro.

Të arrestuar për këtë rast mashtrimi janë Krenar Toromeni, Ilia Gjini dhe Artur Lecini. Këta të fundit dyshohet se kanë kontaktuar biznesmenin përmes aplikacionit Viber, duke iu prezantuar si miqtë e Tonin Marinajt, kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe, të cilin biznesmeni e kishte mik.

Më pas i kanë kërkuar shumën e parave, me pretendimin se do t’ia dorëzonin Marinajt dhe se paratë do t’i ktheheshin brenda 2 ditësh.

Biznesmeni ka rënë pre e këtij kurthi të ngritur dhe u ka dorëzua lekët. Por pas dy ditëve, biznesmeni ka komunikuar me Marinajn duke i kërkuar lekët pas, ndërsa ky i fundit i ka deklaruar se nuk është në dijeni.

Pasi ka kuptuar se është mashtruar, ai i është drejtuar policisë, e cila dje ka vënë në pranga 3 prej autorëve, ndërsa shpalli në kërkim 2 të tjerë.

Grupi prej 5 personash që mashtruan biznesmenin shkodran, 3 prej të cilëve të arrestuar, dyshohet se janë pjesë e grupit të të shumëkërkuarit, Florian Gjergji.