Raporti i fundit i Kongresit Amerikan, i lidhur me Aktin për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor nënvizon se pavarësisht reformave dhe progresit të arritur vitet e fundit, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit vazhdojnë të përballen me probleme serioze, si varfëria e lartë, papunësia, korrupsioni dhe dobësitë institucionale.
Raporti nxjerr në pah se varfëria dhe papunësia mbeten në nivele të larta në Shqipëri, pavarësisht progresit të deklaruar.
“Reformat kanë sjellë përparim, por varfëria dhe papunësia vazhdojnë të jenë më të larta në Ballkanin Perëndimor krahasuar me standardet evropiane. Korrupsioni dhe dezinformimi lulëzojnë në mjedise politike të karakterizuara nga kontrolli autokratik ose konflikti partiak”, thuhet në dokument.
Kongresi e identifikon korrupsionin, veçanërisht në nivelet e larta politike, si pengesën kryesore për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të rajonit. Shqipëria, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, përfshihet në këtë shqetësim, sidomos në:
sistemin e drejtësisë,
prokurimet publike dhe tenderat,
institucionet e pavarura dhe zgjedhjet.
Projektligji thekson se korrupsioni ushqen pasigurinë, dekurajon investimet amerikane dhe europiane dhe dobëson besimin e qytetarëve te demokracia.