Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin për rritjen e çmimit të biletës të transportit urban në Kamëz

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim paraprak në transportin urban në Kamëz, pasi çmimi i biletës u rrit me 100 lekë të vjetra, pa asnjë konsultim publik.

Institucioni bën me dije se hetimi është çelur pas ankesave të depozituara dhe shqetësimeve të ngritura publikisht në media lidhur me rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve të transportit urban në Kamëz.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, qëllimi i hetimit është analizimi i funksionimit të konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun përkatës.

Nga dokumentacioni zyrtar rezulton se shoqëria “SHPRESA – AL” SHPK është operatori i vetëm i licencuar për ofrimin e këtij shërbimi në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në treg, sipas përcaktimeve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Nga vlerësimi paraprak, thekson Autoriteti i Konkurrencës, mungojnë analiza ekonomike dhe financiare që të justifikojnë rritjen e tarifave.

Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën nga 1 janari 2025 deri më 12 dhjetor 2025 dhe synon të vlerësojë nëse sjellja e shoqërisë “SHPRESA – AL” SHPK përbën kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës, në përputhje me Ligjin nr. 9121/2003.