Për Ramën media online është në degjenerim, por kryeministri thotë se gazetarët nuk do dënohen për shpifje

Gjatë konferencës për të Drejtën e Informimit, kryeministri Edi Rama bëri me dije se qeveria do të përjashtojë gazetarët nga ligji për shpifjen. Rama u shpreh se prej vitesh qeveria i ka ndaluar paditë për gazetarët dhe nuk ka pasur asnjë gazetar të goditur penalisht. 

Megjithatë kreu i qeverisë nuk la pa sulmuar median online, që sipas tij ka pasur degjenerim të vazhdueshëm gjithmonë e më të madh.

“U tha se vetërregullimi do të jetë instrumenti që do sjellë një nivel tjetër në botën online, siç e keni parë ka pasur degjenerim të vazhdueshëm gjithmonë e më të madh.

Megjithatë ne hoqëm dorë atëherë dhe nuk kemi ndërmend të rivëmë dorë, vetëm mbase BE t’i ketë thirrur mendjes dhe ta shohin se gjëja po del jashtë kontrollit, media online në tërësi është bërë një territor ku ndërhyjnë edhe forcat jo miqësore në BE, ndërhyhet në zgjedhje, këtu, atje..

Normal nëse shtëpinë e lë pa dritare, pa çati dhe pretendon të flesh rehat dhe askush të mos hyjë në shtëpi, atëherë beson në një botë që nuk ekziston”, tha numri një i qeverisë.