Çfarë dihet deri tani për sulmin me armë në Bondi Beach të Australisë

Një sulm i rëndë me armë zjarri ka tronditur Australinë, pasi persona të armatosur hapën zjarr gjatë një aktiviteti të komunitetit hebre për festën e Hanukkah në Bondi Beach, në Sidnej. Ngjarja është cilësuar nga autoritetet si akt terrorist dhe sulm antisemit.

Sulmi ndodhi rreth orës 18:47 sipas orës lokale, kur policia e New South Wales mori njoftime për të shtëna me armë në zonën Archer Park, pranë plazhit të Bondi-t.

Sipas policisë, autorët e sulmit ishin babë e bir, të moshës 50 dhe 24 vjeç. Sulmuesi më i moshuar u vra nga policia në vendngjarje, ndërsa i riu ndodhet në gjendje kritike në spital. Autoritetet konfirmuan se babai ishte posedues i licencuar armësh dhe se disa armë zjarri u përdorën gjatë sulmit.

Bilanci i viktimave është i rëndë: 15 persona humbën jetën, mes tyre edhe një vajzë 10-vjeçare. Viktimat ishin të moshave nga 10 deri në 87 vjeç dhe përfshijnë dy rabinë si dhe një të mbijetuar të Holokaustit. Dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur, përfshirë edhe fëmijë, ndërsa dy policë u qëlluan dhe u plagosën gjatë ndërhyrjes.

Në pamjet e publikuara nga vendngjarja, një qytetar ndërhyri duke neutralizuar përkohësisht njërin nga sulmuesit, veprim që autoritetet lokale e vlerësuan si heroik dhe që besohet se shpëtoi shumë jetë.

Kryeministri australian Anthony Albanese reagoi ashpër pas ngjarjes, duke paralajmëruar forcimin e mëtejshëm të ligjeve për armët e zjarrit, pavarësisht se Australia tashmë ka një nga regjimet më të rrepta në botë. Sulmi në Bondi Beach është më vdekjeprurësi në vend që nga masakra e Port Arthur në vitin 1996.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare dhe solidaritet me komunitetin hebre në Australi. Në New South Wales janë regjistruar radhë të gjata për dhurim gjaku, ndërsa qytetarët vazhdojnë të vendosin lule në vendin e përkujtimit pranë Bondi Pavilion.

Sulmi ndodhi gjatë aktivitetit Chanukah by the Sea 2025, i organizuar nga qendra hebraike Chabad of Bondi, ku rreth 1.000 persona ishin mbledhur për të festuar ditën e parë të Hanukkah, festën hebraike të dritave që zgjat tetë ditë.