Basha privatizon PD-në, ndryshimet statutore e bëjnë “mbret” të partisë

Lulzim Basha nuk ka shumë deputetë afër vetes, por edhe atyre që i kanë qëndruar pranë ka zgjedhur të mos u besojë.

Ndryshimet statutore që pritet të miratohen sot do ta bëjnë Bashën “mbret” të Partisë Demokratike, pasi jo vetëm që do të jetë edhe kryetar i grupit parlamentar, por nuk do të ketë detyrim të dorëhiqet nëse humb zgjedhjet.

Pikërisht kjo e fundit është ajo që i intereson Bashës, i mësuar të humbasë gjatë gjithë karrierës së tij politike. Tashmë, ai nuk do te ketë më as presionin e atyre pak demokratëve që e mbështesin kur të regjistrojë humbjen e radhës.

Në statutin e ri të PD-së thuhet se Basha mund të zgjedhë një kryetar për të udhëhequr grupin parlamentar kur PD të jetë në pushtet, por gjasat që kjo të ndodhë janë minimale, ose pothuajse zero.

NENI 48:

1) Grupi Parlamentar i PDSH-së përbëhet nga deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë.

2) Kur PDSH është shumicë qeverisëse, Kryetari i Grupit Parlamentar zgjidhet me propozim të Kryetarit të Partisë nga Këshilli Kombëtar, me votim të fshehtë, ndërmjet jo më pak se dy kandidaturave.

3) Kur PDSH nuk është shumicë qeverisëse, Kryetari i Partisë është edhe Kryetar i Grupit Parlamentar. Kryetari i Partisë, me autorizim të tij, mund të caktojë një prej Nënkryetarëve të Partisë për të drejtuar Grupin Parlamentar.

4) Grupi Parlamentar i PDSH-së: a) përfaqëson në Parlament PDSH-në dhe siguron aty mbrojtjen e platformës, programit dhe interesave të PDSH-së;

b) harton programin dhe përcakton mënyrën e veprimit e të angazhimit të deputetëve të tij në Parlament dhe në zonat elektorale përkatëse;

c) Rregullorja e funksionimit dhe përfaqësimi institucional i Grupit Parlamentar, miratohet me vendim të Kryesisë së Partisë.