Lodrat me inteligjencë artificiale po pushtojnë tregun, por sa të sigurta janë për fëmijët?

Lodrat klasike si arushat prej pelushi sot nuk kufizohen më vetëm te imagjinata e fëmijëve. Një pjesë e tyre janë pajisur me chatbotë të integruar me inteligjencë artificiale, të aftë të bisedojnë në kohë reale. Por së bashku me risinë, kanë nisur edhe shqetësimet për sigurinë.

Një studim i fundit ka vënë në qendër të kritikave arushën “Kumma”, të prodhuar nga kompania FoloToy në Singapor. E pajisur me modelin gjuhësor GPT-4o të OpenAI, lodra u kap duke ofruar informacione për objekte potencialisht të rrezikshme dhe madje duke hyrë në biseda me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijë.

OpenAI ndërpreu aksesin e kompanisë për shkelje të politikave të sigurisë, ndërsa FoloToy tërhoqi produktin nga tregu dhe deklaroi se po kryen rishikime të brendshme. Megjithatë, së fundmi kompania njoftoi se e ka rikthyer lodrën pasi “ka forcuar mekanizmat e sigurisë”.

Ekspertët paralajmërojnë se lodrat që përdorin modele të plota gjuhësore, pa kufizime të forta, janë më të rrezikuara të prodhojnë përmbajtje të papërshtatshme. Edhe produkte të tjera, si Curio Grok, mund të japin informacione të rrezikshme nëse nxisin agresivisht nga përdoruesi.

Por jo të gjitha lodrat me AI konsiderohen të rrezikshme. Disa ofrojnë filtra, kufizime sipas moshës dhe mënyra për t’i devijuar pyetjet e papërshtatshme. Lodrat si Miko apo Curio Grok kanë edhe aplikacione shoqëruese që u japin prindërve mundësi monitorimi, si pushime të detyruara nga përdorimi apo transkripte të bisedave.

Megjithatë, raportet ndërkombëtare theksojnë se shumë prej këtyre lodrave ende nuk janë të gatshme për përdorim masiv, për shkak të përgjigjeve të pasigurta, dizajnit që mund të krijojë varësi dhe mungesës së transparencës në përdorimin e të dhënave.

Një shqetësim tjetër është mbledhja e të dhënave personale të fëmijëve. Kamera, mikrofona dhe lidhja me internet mund të ruajnë emra, zëra, imazhe dhe potencialisht vendndodhje, duke krijuar rrezik të mundshëm për hakime ose rrjedhje të të dhënave.

“AI në lodra mund të duket si diçka e pafajshme, por është shumë e vështirë të kuptosh se çfarë të dhënash po regjistrohen në të vërtetë,” paralajmërojnë ekspertët.

Megjithatë, lodrat me AI mund të jenë të dobishme në mësimin e gjuhës, zhvillimin social apo edukimin interaktiv. Pajisje si Miko 3 ofrojnë programe arsimore, njohje të fytyrës dhe qasje te përmbajtje të licencuar si histori Disney apo platforma mësimore.