Pa një proces formal politik, Trump nuk mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Për sa kohë që një grusht lojtarësh brenda administratës së Trump vazhdojnë të veprojnë më vete, do të ketë kaos dhe konfuzion rreth çdo plani paqeje për Ukrainën.

Është e kuptueshme nëse e ke pasur të vështirë të ndjekësh përpjekjet e fundit të SHBA-së për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë. Ka qenë një periudhë marramendëse takimesh në Moskë, Anchorage, New York, Washington, Miami, Kiev dhe Gjenevë — pa numëruar telefonatat e panumërta informale mes një numri të madh aktorësh.

Një arsye për këtë kaos është se Presidenti amerikan Donald Trump i ka vënë ekipit të tij një detyrë pothuajse të pamundur: të ndalojë një luftë mes dy shtetesh që janë të vendosura të luftojnë për objektiva tërësisht të kundërta — Rusia kërkon nënshtrimin e Ukrainës, ndërsa Ukraina lufton për sovranitetin dhe pavarësinë e saj.

Por një arsye tjetër për skenat e rrëmujshme që kemi parë muajt e fundit — samite të njoftuara e më pas të anuluara, afate të shpallura e pastaj të braktisura, plane të prezantuara si të përfunduara e më pas të ndryshuara, dhe një kastë e vazhdueshme negociatorësh që vijnë e ikin — është mungesa e një procesi formal të administratës Trump për hartimin e politikës, dhënien e udhëzimeve, komunikimin me qeveritë e huaja dhe përcaktimin e një drejtimi të qartë.

Kjo mungesë procedure është një tipar unik — ose një dobësi — e kësaj presidence. Natyrisht, Trump nuk është presidenti i parë amerikan që mbështetet tek një rreth i ngushtë këshilltarësh për çështje kyçe të politikës së jashtme. Ish-presidenti George H.W. Bush e drejtoi Luftën e Gjirit me vetëm shtatë zyrtarë të lartë, ndërsa paraardhësi i Trump-it, Joe Biden, merrte shumë vendime të sigurisë kombëtare gjatë informimit të tij të përditshëm, ku merrnin pjesë vetëm disa ndihmës kryesorë.

Dallimi është se në administratat e tjera, këshilltarët e lartë mbështeteshin te një proces ndëragjencish të drejtuar nga stafi i tyre, për të debat­uar çështjet, zhvilluar opsione politike dhe mbikëqyrur zbatimin. Trump, nga ana tjetër, e drejton qeverinë amerikane ashtu siç drejtonte biznesin e tij familjar — nga tavolina e Zyrës Ovale, duke takuar këdo, duke telefonuar këdo, dhe duke marrë vendime të menjëhershme. Ndërsa ndihmësit e tij veprojnë pothuajse tërësisht më vete.

Sa i përket Ukrainës dhe Rusisë, brenda rrethit të presidentit gjenden vetëm disa individë: Zv. Presidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Marco Rubio, Shefja e Stafit Susie Wiles, i dërguari presidencial për paqe Steve Witkoff dhe, që nga tetori, dhëndri i Trump-it, Jared Kushner. Të përjashtuar nga ky rreth janë sekretari i mbrojtjes, shefi i shtabit të ushtrisë, si dhe drejtuesit e CIA-s dhe inteligjencës kombëtare.

Nga të gjithë këta, vetëm Rubio ka një staf të plotë në Departamentin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Edhe aty, ka pak prova që ai mbështetet tek stafi në mënyrën tradicionale. Çfarëdo diskutimesh ndëragjencie që po ndodhin, ndikimi i tyre mbi vendimmarrjen duket minimal — nëse ekziston. Sipas diplomatëve të huaj në Washington, zyrtarët në të dy departamentet janë të afrueshëm, por pothuajse të painformuar për zhvillimet reale.

Edhe më problematike është se, përveç Rubio-s, lojtarët e tjerë kryesorë në çështjen e Ukrainës veprojnë pa staf dhe pa një proces formal.

Witkoff, për shembull, merr pjesë në takime me presidentin rus Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë pa një sekretar që mban shënime, dhe shpesh mbështetet tek përkthyesi i vetë Putinit. Kushner është thellësisht i përfshirë në negociata, por nuk ka asnjë rol formal në administratë. Ndërkohë, Sekretari i Ushtrisë Daniel Driscoll, i përfshirë papritur në diskutimet me Ukrainën muajin e kaluar, kishte vetëm një fundjavë kohë për t’u njohur me historinë e luftës dhe procesin negociator, përpara se të dërgohej në Kiev për të paraqitur planin më të ri.

Kjo mungesë procedure shpjegon kaosin ekstrem të bisedimeve gjatë javëve të fundit dhe mënyrën sesi gjithçka u përshkallëzua.

Fillimisht, në mes të tetorit, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i dërgoi Rubio-s një memorandum me propozime për t’i dhënë fund luftës. Ideja ishte që Putin dhe Trump të mund t’u binin dakord këtyre pikave në takimin e tyre të planifikuar në Budapest në fund të muajit.

Memorandumi përmbante të gjitha kërkesat e zakonshme të Rusisë: lëshime territoriale, kufizime të ashpra për ushtrinë ukrainase, dhe asnjë trupë ose anëtarësim të Ukrainës në NATO. Por kur Rubio bisedoi me Lavrov për këtë, kuptoi se pozicioni i Moskës ishte i pandryshueshëm dhe këshilloi Trump-in të mos shkonte në Budapest. Presidenti më pas e anuloi takimin duke thënë se nuk donte “një takim të kotë”.

Megjithatë, ndërsa Rubio dhe Trump po përpiqeshin të rritnin presionin ndaj Rusisë — përfshirë lajmërimin e sanksioneve të para të reja që prej rikthimit të Trump-it në detyrë — Witkoff po punonte paralelisht me të dërguar të tjerë rusë për të rikthyer negociatat. Në një telefonatë me Yuri Ushakov, këshilltarin kryesor të Putinit, Witkoff thuhet se u shpreh: “Presidenti do të më japë hapësirë dhe diskrecion të madh për të arritur marrëveshjen.”

Dy javë më vonë, Witkoff dhe Kushner u ulën në Miami me Kirill Dmitriev, një tjetër i dërguar të afërt me Putinin, për të përgatitur një plan me mbi 20 pika për t’i dhënë fund luftës — një qasje e ngjashme me atë që kishin përdorur për Gazën javë më parë. Por ndryshe nga Rubio vetëm pak ditë më parë, Witkoff dhe Kushner pranuan kryesisht pozicionin rus dhe e bënë të tyren. Siç i tha Dmitriev Ushakovit, ai ua kishte përcjellë atyre një draft përfundimtar “sa më pranë pozicionit [të Rusisë]”.

Kur Rubio pa për herë të parë planin 28-pikësh të hartuar nga Witkoff dhe Kushner, ai e quajti atë vetëm “një listë idesh të mundshme”, dhe u ka thënë senatorëve amerikanë se “nuk është rekomandimi ynë [apo] plani ynë i paqes”. Trump, nga ana tjetër, e pëlqeu dhe i tha Ukrainës ta nënshkruante deri në Ditën e Falënderimeve, përndryshe do të mbetej vetëm. Kjo e detyroi Rubio-n të ndryshonte shpejt kurs dhe të deklaronte se “propozimi i paqes u hartua nga SHBA”.

Në fund të fundit, ajo që i shtyn të gjithë këta lojtarë amerikanë nuk është një proces formal ose një analizë e qartë e realitetit të luftës në Ukrainë. Ajo që i udhëheq është dëshira e pandalshme për të kënaqur kërkesën e Trump për t’u njohur si “njeriu që solli paqen në botë”.

Për sa kohë që kjo situatë vazhdon, ashtu do të vazhdojnë edhe kaosi dhe konfuzioni. Dhe asgjë nga kjo nuk e afron fundin e vërtetë të luftës.