Spanja, Irlanda, Sllovenia dhe Holanda bojkotojnë Eurovizionin 2026 për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit

Spanja, Irlanda, Sllovenia dhe Holanda njoftuan tërheqjen nga Festivali Evropian i Këngës, pasi organizatorët vendosën të lejojnë Izraelin të marrë pjesë në edicionin e vitit 2026.

Vendimi i Unionit Evropian të Radio-Televizioneve (EBU) erdhi mes presioneve dhe thirrjeve për përjashtimin e Izraelit, në kushtet e luftës në Gaza dhe akuzave ndërkombëtare për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. EBU vendosi të mos votojë për përjashtim, por të miratojë disa rregulla të reja që synojnë “neutralitetin dhe transparencën” e garës.

Presidenti izraelit përshëndeti vendimin e EBU-së, ndërsa ministri i Jashtëm i vendit kritikoi ashpër shtetet që shpallën bojkotin. Nga ana tjetër, disa televizione publike të vendeve që u tërhoqën deklaruan se pjesëmarrja në rrethana të tilla bie ndesh me vlerat e tyre dhe me frymën e Festivalit.

EBU konfirmoi se të gjitha vendet që pranojnë rregullat e reja mund të marrin pjesë në edicionin e 2026-s, i cili do të mbahet në Vjenë. Organizata theksoi se qëllimi mbetet ruajtja e garës si një event që bashkon vendet përmes muzikës, megjithëse tensionet e viteve të fundit kanë vënë në pikëpyetje neutralitetin e Eurovizionit.

Edicioni i vitit të ardhshëm duket se do të zhvillohet nën hijen e debateve politike, në një kohë kur disa shtete kërkojnë që festivali të mbetet sa më larg konflikteve ndërkombëtare, ndërsa të tjera insistojnë se pjesëmarrja e Izraelit është e papranueshme në situatën aktuale.