Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, i përfshirë në ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko.
Teta akuzohet se ka vëzhguar lëvizjet e Malkos dhe ka ndihmuar autorët për ekzekutimin e ish-policit.
Në maj të këtij viti, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit të GJKKO për Tetën dhe e riktheu çështjen për rigjykim, me një tjetër trupë gjykuese.
Në sencën e sotme të zhvilluar në Apelin e Posaçëm, trupa gjykuese e përbërë nga Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha (anëtare) dhe Edlira Petri (anëtare) vendosi lënien në fuqi të vendimit të GJKKO, dhënë më 21 janar 2022 për Blendi Tetën duke e dënuar me 25 vite burg.
Njoftimi i gjykates:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha (anëtare) dhe Edlira Petri (anëtare), sot më datë 04.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 21.07.2025 regjistrimi.
Kjo çështje është regjistruar pas prishjes nga Gjykata e Lartë të vendimit nr. 32, datë 14.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimit për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues – disponuar mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri/ankues B.T., ndaj vendimit nr. 05, datë 26.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 05, datë 26.01.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, sot më datë 04.12.2025.