Bisedimet 5 orëshe mes presidentit rus Vladimir Putin dhe negociatorëve të lartë amerikanë nuk arritën një marrëveshje për një plan paqeje në Ukrainë.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner zhvilluan takimin në Kremlin të martën, në kulmin e një jave diplomacie intensive që administrata amerikane po ndërmerr për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas këshilltarit për politikë të jashtme të Putinit, Yuri Ushakov, diskutimet ishin “shumë të dobishme, konstruktive dhe me përmbajtje”, por pa arritur një opsion kompromisi.
“Disa nga propozimet amerikane duken disi të pranueshme, por duhet të diskutohen më tej,” deklaroi Ushakov.
Një ndër çështjet që vazhdon të bllokojë bisedimet është kërkesa e Rusisë që Ukraina të heqë dorë nga aspiratat për t’iu bashkuar NATO-s, si dhe të pranojë dorëzimin e territoreve në Donbas që Moska i konsideron të aneksuara, por që ende nuk i kontrollon plotësisht.
Një takim i mundshëm mes Putinit dhe presidentit Trump nuk është planifikuar ende dhe, sipas Ushakov, do të varet nga progresi i negociatave.
Zyrtarët ukrainas vazhdojnë t’i kundërshtojnë kërkesat maksimale të Moskës, të cilat Kremlini i konsideron vija të kuqe. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se priste komunikim të menjëhershëm me ekipin amerikan pas takimit me Putinin dhe se ishte duke pritur sinjale për rezultatin.
“Nëse sinjalet janë pozitive dhe loja është e ndershme me partnerët tanë, atëherë do të takojmë shumë shpejt delegacionin amerikan,” tha Zelensky.
Pak orë para takimit, Putin deklaroi se Rusia nuk planifikon luftë me Evropën, por është e gatshme t’i përgjigjet çdo përshkallëzimi të mundshëm.
Ai akuzoi disa liderë europianë se po përpiqen të bllokojnë planin e propozuar nga SHBA, duke paraqitur kërkesa absolutisht të papranueshme për Rusinë, dhe se po ndërhyjnë në përpjekjet e presidentit Trump për arritjen e një marrëveshjeje.
Një zyrtar i lartë i NATO-s deklaroi se nuk ka shenja që Moska është e gatshme për “lëshime domethënëse”, duke theksuar se Rusia vazhdon të kërkojë kontroll territorial dhe synon të dobësojë aftësitë ushtarake të Ukrainës.
Ndërkohë, takimet vijojnë: të dielën në Miami, delegacionet amerikane dhe ukrainase zhvilluan një raund bisedimesh që sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, i quajti “shumë produktive”.