Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të “ndalojë emigracionin” në SHBA nga të gjitha vendet që ai i quajti “të botës së tretë”. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump argumentoi se kjo masë do të lejojë “sistemin amerikan të rikuperohet plotësisht” nga politika që sipas tij kanë dëmtuar standardet e jetesës së shumë amerikanëve. Ai nuk dha detaje se cilat vende do të preken ose si do të zbatohet plani.
Deklaratat vijnë një ditë pas një sulmi me armë në Washington DC, ku një shtetas afgan akuzohet për qëllimin e dy anëtarëve të Gardës Kombëtare, njëri prej të cilëve humbi jetën. Trump sugjeroi se incidenti thekson një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare.
Në vijim të sulmit, presidenti premtoi largimin nga SHBA i çdo të huaji “që nuk i përket vendit”. Në të njëjtën ditë, autoritetet pezulluan përpunimin e të gjitha kërkesave për emigracion nga afganët, duke argumentuar se po rishikonin protokollet e sigurisë dhe verifikimit.
Më pas, Shërbimi i Emigracionit dhe Shtetësisë së SHBA (USCIS) tha se do të rivlerësojë kartat e gjelbra të dhëna emigrantëve nga 19 vende, përfshirë Afganistanin, Kubën, Haitin, Iranin, Somalinë dhe Venezuelën. Trump gjithashtu premtoi të “ndalojë të gjitha përfitimet dhe subvencionet federale për jo-shtetasit” dhe fajësoi refugjatët për “çrregullime sociale në Amerikë”.
Sulmi i Washington DC u krye nga Rahmanullah Lakanwal, një shtetas afgan që kishte ardhur në SHBA në 2021 nën një program mbrojtjeje për afganët që kishin bashkëpunuar me forcat amerikane pas tërheqjes nga Afganistani. Lakanwal ishte një ish-bashkëpunëtor i CIA-s dhe kishte aplikuar për azil në 2024. Ai u arrestua pas sulmit dhe nuk po bashkëpunon me autoritetet.
Një nga anëtarët e Gardës Kombëtare që humbi jetën ishte 20-vjeçarja Sarah Beckstrom nga West Virginia, e cila po ndihmonte në kontrollin e krimit në DC gjatë festave të Thanksgiving. Anëtari tjetër, 24-vjeçari Andrew Wolfe, mbetet në gjendje kritike.
Analistët vlerësojnë se reagimi i Trumpit për sulmin mund të shihet si “shkarkim fajesh ndaj emigrantëve”, duke theksuar se motivi i sulmuesit nuk është i qartë dhe që dhuna mund të vijë nga individë nga çdo origjinë.