128 të vdekur nga zjarri në kompleksin e banesave në Hong Kong, 200 të tjerë të zhdukur

Numri i personave që humbën jetën nga zjarri shkatërrues në kompleksin e apartamenteve në Hong Kong është rritur në 128, ndërsa rreth 200 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, thanë zyrtarët të premten. Zjarri u vu nën kontroll pas 42 orësh përpjekjesh intensive.

Të paktën 79 persona u plagosën në këtë zjarr që u përhap me shpejtësi në disa ndërtesa të një kompleksi banimi publik në lagjen Tai Po, bëri të ditur sekretari për sigurinë i Hong Kongut, Chris Tang. Ai paralajmëroi se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi për rreth 200 persona ende nuk ka informacion.

Ky zjarr, më i rëndi në dekada për qytetin – ka tronditur Hong Kongun, i njohur për standardet e larta të sigurisë publike dhe ndërtimit.

Banorët e zhvendosur dhe të mbijetuarit, kërkojnë përgjigje se si mund të ndodhte një katastrofë e tillë. Ndërkohë, shumë familje presin me ankth për të mësuar nëse të afërmit e tyre të zhdukur janë mes viktimave.

Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar. Policia po heton arsyen pse flakët u përhapën kaq shpejt nga një ndërtesë në tjetrën, duke kthyer një zjarr të izoluar në disa shpërthime të njëkohshme në shumë kate. Hetimet pritet të zgjasin tre deri në katër javë.

Raportimet mediatike tregojnë se 767 zjarrfikës dhe 400 oficerë policie, së bashku me 128 automjete zjarrfikëse dhe 57 ambulanca, u përfshinë në operacionet e shpëtimit.