Plotësohet Kolegji Penal pas largimit të Holta Zaçaj, pritet shqyrtimi i dosjes “Balluku”

Pas largimit të Holta Zaçaj nga Gjykata Kushtetuese, vendin e saj në Kolegjin Penal të “Kushtetueses” e ka marrë Marsida Xhaferllari, e cila është edhe kryetarja në detyrë e këtij institucioni.

Me plotësimin e Kolegjit Penal, pritet që ditën e sotme të shqyrtohet edhe kërkesa e qeverisë për dosjen “Balluku”, nëse do të kalojë ose jo për gjykim.

Këshilli i Ministrave kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të rrëzojë vendimin e GJKKO-së për pezullimin  nga detyra të zv.kryeministres, e cila është marrë e pandehur nga SPAK.

Sipas qeverisë, vendimi i GJKKO për të pezulluar nga detyra Ballukun cenon kompetencat e tre institucioneve kushtetuese: Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.

“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional, pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për t’u miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që drejtohet nga ministri i pezulluar”, argumenton Këshilli i Ministrave në dokument.

Sipas qeverisë, Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra, pasi në cilësinë e anëtares së Këshillit të Ministrave gëzon të njëjtat të drejta me deputetët.