Izraeli godet Bejrutin, vritet shefi i shtabit të Hezbollahut

Ushtria izraelite ka kryer sulmin e parë ajror në muajt e fundit në jug të Bejrutit, duke vrarë Haytham Ali Tabatabain, një nga figurat më të larta të Hezbollahut dhe shefin e tij të shtabit.

Sipas IDF, Tabatabai ishte një aktor kyç në strukturën ushtarake të grupit dhe kishte rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të tij.

Autoritetet libaneze konfirmuan se sulmi në lagjen Haret Hreik shkaktoi pesë viktima dhe 28 të plagosur, teksa Hezbollah e cilësoi sulmin si një akt të pabesë ndaj territoreve civile.

Zyra e kryeministrit izraelit bëri të ditur se vendimi për goditjen u mor pas rekomandimeve të udhëheqjes së ushtrisë dhe ministrisë së mbrojtjes, duke theksuar se objektivi ishte parandalimi i forcimit të mëtejshëm të Hezbollahut.

Nga ana tjetër, presidenti i Libanit e dënoi ashpër goditjen, duke thënë se ajo tregon se Izraeli po injoron thirrjet e vazhdueshme ndërkombëtare për ndalimin e agresioneve në territorin libanez, dhe kërkoi ndërhyrje të fuqishme të komunitetit ndërkombëtar.

Sulmi vjen në një kohë kur tensionet mes dy palëve mbeten të larta, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA një vit më parë.

Gjatë muajve të fundit, Izraeli ka goditur shpesh objektiva të Hezbollahut në jug të Libanit dhe në Luginën e Bekaa-s, ndërsa më herët ka eliminuar disa prej komandantëve kryesorë të grupit. Tabatabai ishte shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara prej vitit 2016 dhe kërkohej prej tyre për rolin në operacionet ushtarake të Hezbollahut në Siri dhe Jemen.