Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila synon kalimin nga armëpushimi i brishtë në Gaza drejt një paqeje më të qëndrueshme dhe rindërtimit të enklavës së shkatërruar.
Rezoluta u miratua me 13 vota pro dhe asnjë kundër, ndërsa Rusia dhe Kina abstenuan, duke zgjedhur të mos përdorin veton.
Dokumenti i OKB-së i jep legjitimitet ndërkombëtar planit 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën, pjesë të të cilit shërbyen si bazë për armëpushimin e muajit të kaluar. SHBA loboi fuqishëm për miratimin e rezolutës, ndërsa Trump e përshëndeti vendimin përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale.
Rezoluta parashikon:
Krijimin e “Board of Peace”, një autoritet tranzitor
Dërgimin e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza
Mbikëqyrjen e çarmatimit të Hamasit dhe grupeve të tjera
Fillimin e procesit të rindërtimit të Gazës
Sipas draftit, ISF do të përbëhet nga një koalicion paqeruajtësish, “shumë prej të cilëve nga vende me shumicë myslimane”, dhe do të operojë nën komandë të unifikuar për të siguruar rrugët, për të mbrojtur civilët dhe për të krijuar korridore të sigurta të ndihmave.
Zyrtarët amerikanë kanë pranuar se plani kërkon një “mandat ndërkombëtar” për zbatim. Megjithatë, burime diplomatike perëndimore theksojnë se rezoluta është e paqartë në detaje dhe në sekuencimin e fazave, duke lënë të hapur pyetje mbi implementimin praktik.
Kritika ka marrë edhe mungesa e një afati të qartë për kalimin e administrimit tek Autoriteti Palestinez. Dokumenti thotë se tranzicioni do të ndodhë vetëm pasi Autoriteti Palestinez të përfundojë “me sukses” programin e reformave. Mandati i autoritetit tranzitor dhe prezencave ndërkombëtare zgjat deri në fund të vitit 2027.
Për herë të parë rezoluta përfshin edhe një referencë për shtetësinë palestineze, megjithëse pa përcaktuar kohëzgjatje.
Hamas e cilësoi projekt-rezolutën si “përpjekje për të vendosur kujdestari ndërkombëtare mbi Gazën” dhe, pas votimit, deklaroi se çdo forcë stabilizimi që merr rol brenda territorit dhe synon çarmatimin e rezistencës “humbet neutralitetin dhe bëhet palë në konflikt”.
Ndërkohë, disa zyrtarë të Hamasit vazhdojnë të kundërshtojnë çarmatimin e krahut të tyre ushtarak, duke paralajmëruar se luftëtarët nuk do të dorëzojnë armët.