Ministri i Jashtëm i Polonisë tha të dielën se një ankand i artefakteve të Holokaustit është anuluar në Gjermani, duke cituar informacion nga homologu i tij gjerman, pas ankesave të të mbijetuarve të Holokaustit.
Radosław Sikorski i bëri komentet në platformën X, duke thënë se ai dhe Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, “u pajtuan që një skandal i tillë duhet parandaluar.” Diplomati i lartë polak falënderoi Wadephul për informacionin se ankandi ishte anuluar.
Më herët, një grup i të mbijetuarve të Holokaustit i bëri thirrje shtëpisë gjermane të ankandeve, Felzmann, të anulonte shitjen e së hënës të qindra artefakteve të Holokaustit, përfshirë letra të shkruara nga të burgosurit dhe dokumente të tjera që identifikonin shumë njerëz me emër.
Një listë me informacion për ankandin në faqen e internetit të Auktionshaus Felzmann, e cila ishte e arritshme të dielën në mëngjes, nuk gjendej më aty pasditen e së njëjtës ditë. Shtëpia e ankandeve nuk iu përgjigj menjëherë thirrjeve telefonike, një email-i dhe një mesazhi me tekst të dielën.
Koleksioni prej mbi 600 grup-objektesh në ankand në qytetin Neuss, pranë Dyseldorfit, përfshinte letra të shkruara nga të burgosur në kampet gjermane të përqendrimit për të dashurit e tyre, kartela të Gestapos dhe dokumente të tjera të persekutuesve, raportoi agjencia gjermane e lajmeve dpa. Ankandi ishte titulluar “Sistemi i Terrorit”.
“Për viktimat e persekutimit nazist dhe të mbijetuarit e Holokaustit, ky ankand është një veprim cinik dhe i paturpshëm që i lë ata të zemëruar dhe pa fjalë,” tha Christoph Heubner, nënkryetar ekzekutiv i Komitetit Ndërkombëtar të Aushvicit, një organizatë e të mbijetuarve me seli në Berlin, në një deklaratë të shtunën.
“Historia e tyre dhe vuajtjet e të gjithë atyre që u persekutuan dhe u vranë nga nazistët po shfrytëzohen për përfitime komerciale,” shtoi ai. Komiteti tha se emrat e shumë personave ishin të dallueshëm në dokumente. Heubner theksoi se dokumentet e tilla të persekutimit dhe Holokaustit “i përkasin familjeve të viktimave. Ato duhet të ekspozohen në muze ose memoriale dhe jo të reduktohen në mallra për shitje.”
“Ne u bëjmë thirrje përgjegjësve në shtëpinë e ankandeve Felzmann të tregojnë një minimum decence dhe të anulojnë ankandin,” shtoi ai.