Një nga detyrimet themelore të shërbimit publik në një demokraci liberale është nevoja që zyrtarët të lënë mënjanë opinionet e tyre personale dhe të zbatojnë programet e qeverive të zgjedhura. Zgjedhjet përcaktojnë politikat, dhe nëpunësit civilë i zbatojnë ato. Asnjë demokraci nuk mund të mbijetojë për shumë kohë nëse zyrtarët lejohen të zëvendësojnë preferencat e tyre personale me mandatin demokratik të udhëheqësve. Më shumë se një shekull më parë, sociologu prusian Max Weber identifikoi nevojën për një administratë të paanshme nëse një shtet ligjor dhe racional do të lulëzonte.
Mund të mendoni se zyrtarët gjermanë do të ishin veçanërisht të ndjeshëm ndaj këtij detyrimi, por fatkeqësisht jo — të paktën jo në rastin e ministrit të Jashtëm gjerman Johann Wadephul. Ai ishte së fundmi në Siri për një vizitë që synonte të hapte rrugën për kthimin e refugjatëve sirianë në atdhe. Por në vend të kësaj, Wadephul u pushtua nga emocionet përballë rrënojave në Damask, e krahasoi qytetin me Gjermaninë e vitit 1945 dhe, mes lotësh, deklaroi se “do të ishte pothuajse e pamundur që dikush të jetonte këtu me dinjitet”. Shkoi dëm angazhimi i kancelarit Merz për të kthyer sa më shumë sirianë që të ishte e mundur, bashkë me çdo pretendim për kompetencë në politikën e jashtme në Berlin. Rekomandimet e Max Weber nuk përbënin pengesë për Wadephul, i cili zgjodhi të injoronte detyrën e tij profesionale në favor të një shpërthimi teatror të Mitgefühl — domethënë, dhembshurisë.
Wadephul jo vetëm u shkëput nga kancelari i tij, por u dha armë në dorë partisë AfD, e cila mori provë të mëtejshme se partitë qendrore janë thjesht të paafta të përballen me çështjet e vështira të vendit. Shpërthimi i tij emocional nuk ishte vetëm një gabim profesional: ai ishte shkelje e mandatit për të zbatuar me besnikëri politikat e kancelarit, i cili kërkon kthimin e shpejtë të sirianëve. Ministri i Jashtëm nuk mund ta fajësojë as politikën e koalicionit: ndryshe nga shumica e qeverive gjermane ku ministria e Jashtme u jepet partive të vogla, Wadephul është kristian-demokrat si Merz. Gjyqtarët aktivistë me siguri do të kapen pas komenteve të tij për të bllokuar kthimet e detyruara, duke lënë qeverinë Merz pa busull për çështjen kryesore që ushqen populizmin.
Krahasimi i Wadephul mes Damaskut dhe Gjermanisë së 1945 është domethënës. Teksa synonte të nënvizonte përgjegjësitë e mëdha morale që mbajnë udhëheqësit gjermanë pas luftës, ai në fakt sugjeroi diçka tjetër. Gjermania pas luftës u rindërtua tulla pas tulle nga gjermanët, shpesh nga gratë. Trümmerfrauen u punësuan nga ushtritë pushtuese për të pastruar rrënojat dhe për ta bërë të banueshme qytetet e shkatërruara nga bombardimet aleate. Ndërkohë, një milion sirianët që jetojnë sot në Gjermani përfaqësojnë kapital njerëzor të domosdoshëm për Sirinë e pasluftës, nëse dëshiron të ringrejë ekonomitë e saj urbane. Punësimi i tyre si punëtorë ndërtimi apo pastrues në Gjermani mund të ndihmojë tregun gjerman të punës, por nuk do të ndihmojë Sirinë. Shumë nga ata që u larguan nga lufta brutale e Assad-it janë pikërisht njerëzit që Siria ka nevojë nëse dëshiron të rikthejë statusin e saj si shtet arab relativisht i begatë.
Sirianët u ftuan në Gjermani nga Angela Merkel, e cila siguroi popullin e vet se wir schaffen das — ne mund ta bëjmë këtë — dhe se këta vizitorë të përkohshëm do të ktheheshin në shtëpi sapo të përfundonin armiqësitë. Megjithatë, shumë prej këtyre migrantëve tani janë të kënaqur të qëndrojnë në Gjermani si përfitues të programeve bujare të mirëqenies, pa zhvilluar ndonjë ndjenjë të fortë për vendin pritës. Ata nuk do të largohen për të ndihmuar në rindërtimin e vendit të tyre pa një shtysë të fortë nga gjermanët — një veprim që tani ndoshta u sabotua nga shpërthimi i Wadephul. Prania e vazhdueshme e migrantëve të paasimiluar që jetojnë me ndihma publike ushqen katastrofën multikulturore që po shkatërron Gjermaninë. Në shumë qytete, klane etnike kërcënojnë të zëvendësojnë kulturën gjermane, mbrojtja e hapur e së cilës shihet nga elitat gjermane si pothuajse fashiste. Më mirë të anulohen tregjet e Krishtlindjeve sesa të mbrohen ato nga të sapoardhurit.
Vala e migrantëve një dekadë më parë tejkaloi aftësinë e kufizuar të vendit për t’i shndërruar ata në qytetarë kontribues e pagues taksash. Gjermania nuk u ndërtua për emigracion masiv. Pas luftës ishte etnikisht dhe gjuhësisht homogjene dhe nuk zhvilloi kurrë mjetet administrative të nevojshme për të asimiluar të ardhurit. Shtetet e Bashkuara, në shekullin XIX, pranuan valë të mëdha emigrantësh për të përmbushur kërkesën e pakufishme për punë industriale dhe për të populluar tokat e bollshme. Për t’u bërë amerikan nuk kërkohej shumë më tepër se një betim kushtetues dhe respektimi i ligjeve. Mungesa e një shteti social e detyronte integrimin përmes punës së palodhur. Emigrantët gjermanë dhe italianë u bënë plotësisht amerikanë dhe luftuan me trimëri kundër atdheut të tyre të origjinës. Në kontrast, pasardhësit e Gastarbeiter turq ende votojnë në zgjedhjet turke.
Asimilimi në Gjermani kërkon zotërimin e proceseve burokratike të ndërlikuara, të cilat janë gati të pamundura pa njohje të mirë të gjuhës gjermane dhe kulturës administrative të vendit. Ata që dështojnë, mbijetojnë me ndihma publike dhe shpesh marrin “hak” për përjashtimin social përmes krimeve të vogla, sulmeve seksuale dhe përkushtimit ndaj militantizmit islamist. Dështimi i asimilimit, pa mundësi deportimi, krijon barrë financiare që Gjermania nuk mund ta përballojë më dhe rrezikon krijimin e një nën-klase të përhershme dhe armiqësore. Europa nuk mund të bëhet shteti social i vendeve arabe dhe afrikane, as të zgjidhë “shkaqet bazë” të emigracionit duke marrë qytetarët më të aftë të atyre vendeve. Të Gjelbrit dhe socialdemokratët duhet të përballen me faktin se shndërrimi i liderëve të mundshëm afrikanë në kujdestarë gjermanë pleqsh është ekuivalenti modern i grabitjes së kontinentit për ar dhe fildish.
Gjermania është dëbuar nga tridhjetë vjet ëndërrimi historik dhe tani duhet të rilëvojë zakonet e vështira të mbrojtjes së vendit, jo vetëm nga agresioni rus, por edhe nga migrantët që refuzojnë të kthehen dhe kështu ushqejnë populizmin dhe thajnë arkën publike. Vendi kurrë nuk u projektua për emigracion masiv, dhe tani duhet të zvogëlojë numrin e paasimilueshëm të migrantëve, duke nisur nga dembelët dhe kriminelët. Administrata Trump tregoi se politika të forta mund të shkaktojnë vetë-deportim masiv. Nëse Merz do të jetë në gjendje të kapërcejë ministrin e tij të papërgjegjshëm dhe të vendosë politika të ngjashme, kjo do të përcaktojë nëse qendra e politikës gjermane do të mbajë, apo do të zëvendësohet nga “bishat e egra” të AfD-së./ Brussels Signal