Gjykata e Beratit ka lënë në burg Kristo Memën, alias Kostandin Oxhaj, i cili dy ditë më parë vrau me thikë turistin Keli Hoxha, në Kalanë e Beratit, pas një konflikti të çastit.
Gjatë seancës, 63 vjeçari ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë dhe iu ka kërkuar falje familjarëve të viktimës. Ai tha se e kreu krimin në gjaknxehtësi e sipër, pasi siç pretendon, viktima e kishte ofenduar rëndë.
“Më ofendoi, më shau nga familja”,- deklaroi në sallën e gjyqit Mema, i cili do të qëndrojë pas hekurave.
Ngjarja e rëndë ndodhi më datë 28 tetor ku viktima preku kalin, të cilin autori e përdorte për të shëtitur turistet rreth Kalasë së Beratit, kundrejt një pagese.
Autori pasi ka parë 42 vjeçarin që preku me dorë kalin, i ka thënë që mos ta prekte më, pasi kali, sipas tij, nuk ishte mirë dhe ishte i acaruar.
Këtu nisi edhe konflikti, ku Mema qëlloi me thikë Keli Hoxhën, i cili ndërroi jetë në spitalin e Beratit. Autori ia mbathi, por ai u kap pas disa orësh nga policia.