Kuvendi ka miratuar me 113 vota pro dhe 3 kundër ngritjen e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.
Votat kundër ishin ato të partive të reja, 2 të deputetëve të “Mundësisë” dhe 1 e Redi Muçit të Lëvizja Bashkë, teksa PS dhe PD bashkuan votat.
Agron Shehaj, Erald Kapri dhe Redi Muçi në fjalën e tyre akuzuan partitë e mëdha se i kishin përjashtuar nga këto Komisione, edhe pse ata përfaqësojnë votën e 10% të qytetarëve.
Sa i përket ndarjes së anëtarëve në Komisione:
Në Komisionin e Reformës Zgjedhore, 7 anëtarë do t’i përkasin Partisë Socialiste dhe 7 Partisë Demokratike. 2 anëtarë do të jenë nga partitë të cilat në zgjedhjet e 11 majit kanë fituar të paktën dy mandate, përkatësisht Partia Socialdemokrate dhe Partia Mundësia.
Ndërsa në komisionin e Territoriales PS do të ketë 8 deputetë, PD 6, ndërsa 1 përfaqësues do të jetë i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë.