Beqir Broja, pajtues gjaqesh, ka dëshmuar në gjyqin ndaj Plaurent Dervishaj e Julian Meçes për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, në të cilin mbeti i vdekur shoferi Andi Maloku.
Ai tregoi se Asllan Rraja, babai i Redian Rrajës, i ka kërkuar të negociojë me familjen e Genc Malokut, babait të viktimës, që të priste se çfarë do të thoshte drejtësia.
Sipas tij, Asllan Rraja i ishte betuar në Kuran se nuk kishte dijeni mbi vrasjen e Andi Malokut, pasi nuk kishte kontaktuar me të birin.
Pas kalimit të afatit prej 3 muajsh, Broja ka shkuar sërish të kërkojë kohë te Genci Maloku, por ky i fundit nuk e ka pranuar.
“Në 2019 kam jetuar në Kamëz, kam qenë kryetari i këshillit të komunës Zallherr. Unë jam angazhuar me komisionin e pajtimit të gjaqeve. Asllan Rraja, me ka kërkuar që të negocioj më familjen e Genc Malokut. Ai më kërkoi qe të negocioj për të birin Redian Rraja. I kam kërkuar familjes Rraja nëse kanë lidhje me këte ngjarje ata kanë bërë be në kuran që ne nuk kemi asnjë lloj dijeni për vrasjen e Andi Malokut. Kemi pritur Gencin Malokun se ai nuk gjendej në shtëpi, i thashë që na ka dërguar familja e Asllan Rrajës, Genc Maloku na tha sipas rregullit shqiptar keni afat tre muaj që të shohim si do shkoj e gjithë gjeja. Më pas ka pasur edhe një takim të dytë, Genci theksonte se djali i është vrarë i pafajshëm në rrugë. Ne i kërkuam që të presë sa të shohim ç’do të thotë drejtësia, pasi Asllani nuk ka mundur të lidhet me djalin që të marrë informacion. Do vazhdoj të kërkoj të drejtën tjetër. Ne i kërkuam sërish afat 3 muaj nuk e pranoi këtë kohë dhe caktuam më pas. Ky ka qenë takimi i fundit, më pas nuk jeni taku më. Nuk i njoh të pandehurit në sallë. Genci Maloku na dha garanci që për tre muaj nuk do merrte hak”, mësohet të jetë shprehur Boja.