Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi sot se në përfundim të mandatit të tij, nuk do të rikandidoj për prokuror të Prokurorisë së Posaçme.
Deklarata e Dumanit u bë këtë të martë gjatë raportimit vjetor të punës së SPAK në Komisionin e Ligjeve.
Ai tha se brenda vitit 2028 u përfundon mandati 11 prokurorëve të posaçëm, të cilët sipas Dumanit, është e pamundur t’i zëvendësosh.
Për këtë arsye ai kërkoi që 11 prokurorëve të SPAK, t’ju jepet mundësia që të garojnë sërish.
Sipas Dumanit, Shqipëria nuk ka luksin, që prokurorë që janë trajnuar për krime të sofistikuara ku janë investuar BE dhe SHBA, të bëhen prokurorë në një Prokurori të Përgjithshme.
“Në përfundim të mandatit tim nuk do rikandidoj. Unë flas në emër të institucionit, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati brenda 1 viti. Mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet. Vlerësoj se nuk kemi aq shumë burime njerëzore, se po të kishim s’do duhej gjithë ajo reformë, sa ti zëvendësojmë këta prokurorë, 11 prokurorë në një vit. E dyta është tjetra, këta prokurorë kanë çështje që i ndjekin me vite të tëra dhe në një moment ty bukur ti i thua mandati jot mbaroi s’ke më punë me çështjen, penohen hetimet në këtë drejtim. Shteti shqiptar, BE dhe SHBA kanë investuar në këtë trupë prokurorësh për tu rritur profesionalisht për të krijuar imunitet ndaj politikës, biznesit e krimit të organizuar dhe megjithëse është bërë gjithë ky investimin, i thuhet prokurorit të posaçëm, pa paragjykuar prokurorët e përgjithshëm. Nuk kemi luksin që një prokuror i specializuar për hetimin e një kategorie të veçantë krimesh ta çojmë në një prokurori të përgjithshme, dhe nga një krim i sofistikuar të fillojë të hetojë vjedhje të thjeshta, kanosjen, shkeljet e rregullave të qarkullimi rrugor”, tha Dumani.