Për çdo zemër shqiptare! Serbi – Shqipëri, ndeshja që nuk luhet vetëm në fushë

Ka ndeshje që zgjasin 90 minuta, dhe ka të tjera që zgjasin një jetë. Shqipëria nuk zbret vetëm për një fitore në fushën e blertë. Sot, kuqezinjtë mbajnë mbi supe peshën e kujtesës, historisë, krenarisë dhe dhimbjes që s’është shuar kurrë.

Kur përballë qëndron Serbia, emocionet nuk janë vetëm sportive. Ajo çfarë ndodh në stadium ndihet në çdo cep të trojeve shqiptare, nga Tirana në Prishtinë, nga Tetova në Preshevë, nga Ulqini në diasporë. Sot nuk jemi thjesht tifozë, jemi një komb i vetëm, një zemër që rreh fort për më shumë se tre pikë.

Sot, Shqipëria luan për të kaluarën që nuk harrohet dhe për të ardhmen që e meriton. Kjo ndeshje vendos shumë, jo vetëm për vendin e dytë në renditje, por edhe për të mbetur në kujtesë si një fitore në fushën e atyre që na urrejnë deri në vdekje.

Në Leskovac do të ketë vetëm 6500 tifozë, asnjë prej tyre ultras, por miliona shikues do kenë sytë mbi atë që do ndodhë në fushën e blertë, ku Serbia dhe Shqipëria luajnë “ndeshjen e jetës”.

Kombëtarja shqiptare vjen në këtë ndeshje si e dyta në grup, me ndeshjen e fundit që e fitoi 1-0 ndaj Armenisë në Tiranë, ndërkohë që Serbia pësoi një goditje të fortë në Beograd përballë Anglisë, me këta të fundit që shkërmoqën 0-5 serbët.

Trahneri Sylvinho ka preferuar të mbajë të fshehtë formacionin titullar, por ka pak dyshime mbi 11-shen që ai pritet të hedhë në fushë.

Në portë është i padiskutueshëm Thomas Strakosha, ndërsa edhe mbrojtja nuk do të ketë ndryshime nga ndehsja e fundit. Elseid Hysaj në të djathtë dhe Mario Mitaj në të majtë, me kapitenin Berat Gjimshiti dhe Arlind Ajetin që do të formojnë dyshen e qendrës së mbrojtjes.

Në mesfushë, një fanellë titullari për Kristjan Asllanin, në rolin e regjisorit të ekipit, ndërsa i padiskutueshëm mbetet edhe Juljan Shehu, i cili do të ketë detyrën të shkatërrojë aksionet e vendasve.

Për fanellën e tretë titullarë në  mesfushë ka një balotazh mes Qazim Laçit dhe Nedim Bajramit. Nëse Sylvinjo do të provojë të sulmojë që në fillim, atëherë do të jetë Bajrami që do të nisë ndeshjen nga minuta e parë, ose në të kundërt, ajo fanellë titullari do të jetë e Qazim Laçit.

Në sulm i padiskutueshëm është Armando Broja, që do ta nisë ndeshjen edhe njëherë nga krahu i djathtë i ofensivës, ndërsa në të majtë Arbër Hoxha është favorit ndaj Myrto Uzunit, pavarësisht se ky i fundit ka luajtur dhe shënuar rregullisht me ekipin e tij Austin.

Në majë të sulmit ka një balotazh mes Rey Manaj dhe Mirlind Dakut. I pari preferohet më shumë nga Sylvinho, teksa do të duhet të shlyejë edhe atë penallti të humbur në Tiranë, ndërsa Daku është ai që e ndjen më shumë këtë sfidë, për shkak të ngjarjeve të ndodhura në luftën e Kosovës, ku familjarë të tij janë vrarë nga forcat serbe.

Pavarësisht se kush luan, ajo që dihet me siguri është se secili prej tyre do të japë më shumë se 100%, pasi kjo është një ndeshje që të motivon që prej ditës kur mëson se Serbinë do ta kesh përballë.

Ndaj sot, Kombëtarja do të luajë për çdo zemër shqiptare, për të na bërë krenarë edhe një herë tjetër. Sot, të ngremë flamurin shqiptar lart aty ku na urrejnë, për t’u treguar se nga Ilirët e deri më sot, ne kemi qenë dhe jemi gjithmonë superiorë ndaj tyre.