Sali Berisha ka treguar pas shumë viteve se ka qenë ai që e ka shkarkuar Ilir Rusmalin si Ministër të Drejtësisë për korrupsion.
Në atë kohë, Ilir Rusmali dha dorëheqjen pas publikimit nga Saimir Shehri, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të asaj kohe një audiopërgjim të vëllait të Ilir Rusmalit, i cili i kërkonte ta favorizonte në një tender, por Shehri nuk kishte pranuar dhe vëllai i ish-ministrit e kishte kërcënuar.
Kreu i PD-së tha se Rusmali e kishte shkarkuar drejtorin e burgjeve pavarësisht se nuk e kishte legjitimitetin, pasi vetë Berisha ishte jashtë vendit.
Pas kthimit të tij, Berisha tregon se e ka shkarkuar Rusmalin për korrupsion, pasi mbrojtja që i bëri të vëllait tregon se ka patur lidhje edhe ai vetë me atë tender.
“Drejtori i burgjeve kishte hapur një tender. I vëllai i ministrit i shkon drejtorit dhe i kërkon tenderin. Ai i thotë ‘ik tani dhe mos u duk këtu se nuk ke punë ti, je vëllai i ministrit’. I vëllai i ministrit e kërcënon drejtorin e përgjithshëm. Mençurisht ai e regjistron kërcënimin dhe e sjell në zyrën time. Ilir Rusmali në vend që të kritikonte vëllain, në kundërshtim me Kushtetutën shkarkon drejtorin e përgjithshëm të burgjeve.
Ministria kishte vetëm propozimin, nuk mund ta shkarkonte. Unë isha jashtë shtetit. Vij unë, ky kishte bërë shkarkimin. Ministri mbajti anën e vëllait që do të thotë se kishte interesa dhe shkarkoi drejtorin, dhe unë shkarkova ministrin. Shkoi në zyrë dhe solli një shkresë dorëheqje”, u shpreh Berisha.