SPAK dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar një aksion gjatë orëve të fundit në Durrës.
Burime bëjnë me dije se janë ushtruar kontrolle në banesat e emrave të njohur të botës së krimit. Ndërkohë raportohet se është arrestuar Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Loer Kume.
Po ashtu në pranga mësohet se ka rënë vëllai i Alëksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijakut, një emër ky i njohur për drejtësinë, pasi ndodhej në makinë me ish-prokurorin Arjan Ndoja, kur këtij të fundit iu bë atentat në vitin 2019.
Aleksandër Laho është shpallur në kërkim nga policia për pengmarrjen e vëllezërve Beqiraj dhe tjetërsimin e pronave në bregdetin e Gjirit të Lalzit.
Operacioni i SPAK dhe Policisë po zhvillohet për llogari të hetimeve për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalëzit. Nuk dihet nëse ka të tjerë të arrestuar, por aksioni është ende në vijim.