Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara është mbyllur pasi ligjvënësit republikanë dhe demokratë nuk arritën të zgjidhin bllokimin rreth buxhetit.
Ngërçi prek financimin e funksionimit të qeverisë deri në fund të tetorit dhe më tej, dhe pritet të shkaktojë ndërprerje të gjera në jetën e përditshme të amerikanëve — nga udhëtimet ajrore deri te vizitat në kopshte zoologjike.
Ky bllokim politik pritet gjithashtu të ndikojë mbi 40% të fuqisë punëtore federale – rreth 800,000 persona – të cilët do të dërgohen në leje pa pagesë.
Ja si do të ndihen pasojat në gjithë vendin:
Fluturimi juaj i radhës
Një mbyllje federale do të ndikojë udhëtarët në shumë mënyra, mund të krijohen radhë të gjata në kontrollin e sigurisë dhe vonesa në fluturime, për shkak të kontrollorëve të trafikut ajror që mund të zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi në vend që të punojnë pa pagesë.
Kontrollorët e trafikut ajror dhe punonjësit e Administratës për Sigurinë e Transportit (TSA) konsiderohen punonjës “thelbësorë”, kështu që ata do të vazhdojnë të shkojnë në punë gjatë mbylljes. Por nuk do të paguhen derisa të përfundojë mbyllja.
Gjatë mbylljes së mëparshme në vitet 2018-2019, shumë prej tyre filluan të raportojnë sëmundje për të munguar në punë, gjë që solli vonesa në aeroporte.
Edhe amerikanët që planifikojnë të udhëtojnë jashtë vendit do të ndjejnë ndikimin, agjencitë e pasaportave kanë paralajmëruar për vonesa në përpunimin e dokumenteve të udhëtimit.
Pa punë dhe pa pagesë për punonjësit federalë
Punonjësit federalë do të jenë ndër më të prekurit, pasi nuk do të marrin rrogë për sa kohë që vazhdon mbyllja. Disa mund të kërkojnë punë të dyta, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Punonjësit që nuk konsiderohen “të domosdoshëm” do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi.
Në mbylljet e mëparshme, këta punonjës janë paguar me vonesë, por kjo nuk është e garantuar.
Agjenci si Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) pritet të pezullojnë shumë punonjës, duke ndikuar negativisht në kërkimet dhe eksperimentet shkencore në proces.
Presidenti Donald Trump, i cili ka ulur shpenzimet publike dhe ka reduktuar vendet e punës në sektorin federal, ka paralajmëruar se një mbyllje mund të çojë në më shumë shkurtime dhe t’i japë atij mundësi të reduktojë shërbime dhe programe që ai thotë se janë të rëndësishme për demokratët.
Kontraktorët që punojnë për agjencitë federale, por nuk janë të punësuar drejtpërdrejt nga qeveria, gjithashtu nuk do të punojnë dhe nuk do të paguhen. Historikisht, ata nuk kanë marrë pagesë të prapambetur, sipas Komitetit për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm.
Parke kombëtare pa staf
Tokat federale, përfshirë Parket Kombëtare dhe Pyjet Kombëtare, janë mbyllur për vizitorët gjatë mbylljeve të mëparshme, pasi rojet dhe stafi janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi.
Gjatë mbylljes së fundit, administrata Trump vendosi t’i linte parqet të hapura, megjithëse pothuajse pa staf.
Sipas grupeve mbrojtëse të parqeve, kjo çoi në akte vandalizmi: vizitorët kaluan me makina në zona të mbrojtura, plaçkitën vende historike dhe lanë mbeturina kudo.
Më shumë se 40 ish-drejtorë të parqeve kombëtare i kanë kërkuar Shtëpisë së Bardhë që, në rast mbylljeje, të mbyllen plotësisht parqet.
“Nuk i lëmë muzetë hapur pa kuratorë, apo aeroportet pa kontrollorë trafiku – dhe nuk duhet të lëmë parqet tona kombëtare hapur pa punonjësit e Shërbimit të Parqeve,” tha Emily Thompson nga Koalicioni për Mbrojtjen e Parqeve Kombëtare të Amerikës
Vizita në kopshtin zoologjik
Muzetë e njohur të Institutit Smithsonian në Uashington DC do të qëndrojnë të hapura deri të paktën të hënën, 6 tetor.
Në faqen e saj zyrtare, institucioni bëri të ditur se ka fonde nga vitet e mëparshme që do ta ndihmojnë të mbetet i hapur përkohësisht.
Sipas Smithsonian-it, kafshët në Kopshtin Zoologjik Kombëtar do të vazhdojnë të ushqehen dhe të kujdesen nga stafi.
Megjithatë, kamerat e drejtpërdrejta që transmetojnë pamje të kafshëve do të ndërpriten, pasi janë cilësuar si jo-thelbësore.
Kjo do të pengojë shikuesit që të ndjekin online jetën e panda-ve, luanëve, elefantëve dhe minjve të zhveshur.
Kujdesi shëndetësor për të moshuarit dhe të varfërit
Programet sociale shëndetësore për të moshuarit dhe të varfërit Medicare dhe Medicaid do të vazhdojnë, por mungesa e stafit mund të shkaktojë ndërprerje të disa shërbimeve.
Ndihmat emergjente në rast katastrofash do të vijojnë të jepen, por puna e përditshme e agjencive të tilla do të ndikohet.
Programi Kombëtar i Sigurimit nga Përmbytjet do të mbyllet, gjë që mund të vonojë dhënien e hipotekave për pronat që kërkojnë këtë sigurim shtetëror.
Nëse mbyllja zgjat shumë, Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) mund të mbetet pa fonde për Fondin e Ndihmës ndaj Katastrofave.
Programet e ndihmës ushqimore gjithashtu do të preken. Programi Shtesë për Ushqim për Gratë, Foshnjat dhe Fëmijët (WIC) pritet të mbetet shpejt pa fonde.
Programi Shtesë për Ushqime (i njohur më parë si kuponët ushqimorë) pritet të vazhdojë për më gjatë, por edhe ai është në rrezik të mbetet pa financim.