Universiteti i Harvard përballet me humbje të mundshme të fondeve federale

Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) njoftoi të hënën se e ka referuar Universitetin e Harvardit në zyrën e agjencisë që merret me rastet e pezullimit dhe ndalimit të bashkëpunimit, duke e akuzuar atë për mungesë veprimi ndaj antisemitizmit.

Nëse vendimi zbatohet, Harvardi do të bllokohej nga marrja e fondeve federale ose nga nënshkrimi i kontratave me qeverinë amerikane, çka mund të nënkuptojë humbjen e qindra milionë dollarëve në grante kërkimore dhe fonde vjetore.

Ankesa më e fundit për të drejtat civile përbën një pikë të re tensioni mes administratës së presidentit Donald Trump dhe Harvardit.

Zyrtarët e kanë akuzuar vazhdimisht universitetin për praktika diskriminuese dhe për dështim në trajtimin e incidenteve antisemitike, akuza që universiteti i ka mohuar.

Në qershor, Zyra për të Drejtat Civile (OCR) brenda HHS-së lëshoi një njoftim shkeljeje, duke deklaruar se Harvardi ka treguar “mungesë të qëllimshme kujdesi” ndaj diskriminimit dhe ngacmimit me të cilat përballeshin studentët hebrenj dhe izraelitë.

Menjëherë pas kësaj, administrata e Trumpit e dërgoi çështjen në Departamentin e Drejtësisë për veprim të mundshëm ligjor për të drejtat civile, raportoi “Axios”.

Më herët këtë muaj, një gjykatës federal vendosi se administrata ka ngrirë në mënyrë të paligjshme miliarda dollarë nga grantet shumëvjeçare federale të Harvardit dhe ndaloi ngrirje të tjera ndaj universitetit.

Referimi i OCR-së në Programin e Pezullimit dhe Debarimit të HHS-së hap një proces shqyrtimi për të vendosur nëse Harvardi do të humbasë aksesin në grantet dhe kontratat federale, dhe për sa kohë. Universiteti ka 20 ditë kohë për të njoftuar OCR-në nëse do të kërkojë seancë dëgjimore.

“Referimi i Harvardit për procedura formale administrative pasqyron përkushtimin e OCR-së për të mbrojtur si investimet e taksapaguesve, ashtu edhe interesin më të gjerë publik”, tha të hënën drejtoresha e OCR-së, Paula M. Stannard.

Në qershor, një zëdhënës i Harvardit tha për “Axios” se universiteti ka ndërmarrë “masa thelbësore dhe proaktive” kundër antisemitizmit dhe po vazhdon përpjekjet për të adresuar “urrejtjen, paragjykimin dhe diskriminimin”.