Zgjidhet anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese, zëvendëson Holta Zaçajn

Asim Vokshi është zgjedhur si anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese. Me detyrë në Gjykatën e Lartë, Asim Vokshi do të zëvendësojë në Kushtetuese vendin bosh të lënë nga Holta Zaçaj.

Përveç Vokshit, anëtarët e tjerë që ishin në garë për këtë vakancë ishin Naureda Llagami dhe Florjan Ballhysa.

Vokshi u shpall automatikisht fitues pasi asnjëri nga tre kandidatët, të cilët kishin marrë më shumë pikë nga KED, nuk mori 3/5 e votave. 

Pikëzimet nga KED:

-Asim Vokshi   89.5  pikë

-Naureda Llagami  89.3   pikë

-Florian Ballhysa  77.83 pikë

“Në kushtet kur parashikimet ligjore përcaktojnë se shpallet fitues kandidati që merr 3/5  e votave të pjesëmarrësve, dhe në rastin e votimit të sotëm ku asnjë nga kandidatët nuk e arriti këtë prag, komisioni shpall fitues kandidatin e renditur të parin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.  Në këto kushte, z. Asim Vokshi zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, njoftoi Gjykata e Lartë.

Vendimi për zgjedhjen e Vokshi i komunikohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe do të publikohet në Qendrën e Publikimeve Zyrtare.