Elon Musk dhe Princi Andrew janë ndër emrat që shfaqen në dokumente të reja të bëra publike nga demokratët në Kongresin amerikan, që lidhen me të ndjerin financier Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Sipas dosjeve të dorëzuara Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës nga pasuria e Epstein, Musk rezulton të ketë marrë një ftesë për të vizituar ishullin privat të Epstein në dhjetor të vitit 2014. Një shënim i datës 6 dhjetor shkruan: “Kujtesë: Elon Musk në ishull më 6 dhjetor (a është ende në plan?)”.
Ndërkohë, një manifest fluturimi i vitit 2000 tregon se Princi Andrew ka udhëtuar me avion nga Nju Xhersi në Florida së bashku me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij Ghislaine Maxwell, e dënuar në vitin 2021 për trafikim të vajzave të mitura.
Në dokumente përmenden gjithashtu pagesa për “masazhe” të regjistruara për një person me emrin “Andrew” në shkurt dhe maj të vitit 2000, por nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për Princin Andrew.
Përveç Musk dhe Andrew, në dokumente përmenden edhe figura të tjera të njohura si themeluesi i PayPal, Peter Thiel, ish-këshilltari i Trump, Steve Bannon, dhe themeluesi i Microsoft-it, Bill Gates. Këta të fundit përmenden në kontekst të takimeve të planifikuara me Epstein, pa ndonjë provë që tregon përfshirje në aktivitetet e tij kriminale.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual.
Demokratët në Komitetin e Mbikëqyrjes kërkojnë publikimin e plotë të dokumenteve, ndërsa republikanët i akuzojnë për politizim të çështjes.