Nga të gjitha postimet e presidentit Trump në rrjetet sociale, ai i së martës mund të jetë ai që historianët e së ardhmes do ta përzgjedhin si pikën më të rëndësishme të kthesës në luftën e Ukrainës. Siç ndodh me shumicën e “cicërimave” të Trumpit – dhe le të jemi të qartë, ndërhyrjet e tij të papritura dhe të pakontrolluara në rrjete sociale janë kthyer tashmë në një zhanër më vete – kjo deklaratë u bë menjëherë “klasike”, për shkak të kthesës së papritur, mesazheve të shumta që përmbante, mënyrës sesi ekspozoi kritikët e tij dhe ekuilibrit të kontradiktave që përçonte.
Presidenti deklaroi, në mënyrë befasuese për të gjithë botën, se Ukraina mund të “FITOJË gjithë territorin e saj origjinal” dhe madje “ndoshta edhe më shumë se kaq”. Rusia, sipas analizës së tij të re, duket si një “tigër prej letre” që “ka luftuar pa qëllim” që nga viti 2022 dhe që ka një ekonomi në “TELASHË të MËDHA”. Trump sugjeroi se “tani është koha që Ukraina të veprojë”, ndërsa premtoi se SHBA do të “vazhdojë të furnizojë NATO-n me armë që ata t’i përdorin si të duan” – përpara se të përfundonte me një urim të përgjithshëm: “fat të mbarë të dy vendeve” dhe “suksese për të gjithë”.
Të thuash se kjo është një ndryshim total në retorikën presidenciale për luftën në Ukrainë – të paktën për momentin – do të ishte pak. Këto deklarata bien në kontrast të plotë me qëndrimet e hershme dhe të përsëritura të Trumpit, sipas të cilave Ukraina ishte e dobët dhe në rënie, ndërsa Rusia e fortë dhe në rrugë të sigurt drejt fitores. Madje, ky ndryshim do të ishte i paimagjinueshëm vetëm disa javë më parë, kur komuniteti diplomatik perëndimor u trondit nga qëndrimi i Trumpit në Samitin e Alaskës, ku dukej se ai po legjitimonte fuqinë ruse dhe përçmonte kauzën ukrainase.
Çfarë po ndodh, pra? Ka tre mundësi:
Donald Trump ka përjetuar një ndryshim të vërtetë të mendimit – një lloj “konvertimi të Damaskut”.
Kjo mund të jetë thjesht një tjetër shpërthim impulsiv, i pavend dhe i paarsyeshëm, që do të harrohet shpejt kur ai të ndryshojë mendim përsëri.
Ose, më së shumti, postimi i së martës është një lëvizje e qëllimshme politike, që sinjalizon një ndryshim kursi, por është paketuar në një mënyrë që zbut ndikimin dhe kontrollon narrativën në favor të tij.
Ideja se Presidenti amerikan ka ndryshuar me të vërtetë mendje për këtë konflikt nuk qëndron, sepse arsyet që ai vetë jep nuk janë bindëse. Në postimin e tij, Trump thotë se vetëm tani ka “kuptuar plotësisht situatën ushtarake dhe ekonomike mes Ukrainës dhe Rusisë”. Të pranosh, si Komandant i Përgjithshëm i SHBA, se më parë nuk e kuptoje këtë situatë është po aq “besueshme” sa deklarata e shtatorit ku shprehej i “shokuar” që Evropa vazhdonte të blinte naftë ruse – një fakt i njohur që ai vetë e kishte dënuar gjashtë muaj më parë në Kongres.
As mund të besohet seriozisht se Trump mendon papritur që Rusia është një “tigër prej letre” vetëm sepse nuk e ka fituar luftën për një javë. Kjo ide përhapet më shumë në qarqet ekstreme të mbështetësve të Ukrainës në rrjetet sociale dhe ka rrënjë të thella në mendësinë neokonservatore që e sheh Rusinë thjesht si një “pikë karburanti me armë bërthamore”.
Nëse Rusia është vërtet kaq e dobët, pse atëherë NATO duhet të shpenzojë 5% të PBB-së për armatime dhe pse ekziston frika e një sulmi të mundshëm rus në Europë? E vërteta është se të gjithë të përfshirët – përfshirë vetë Trumpin – e dinë që fuqia ushtarake ruse, përfshirë arsenalin bërthamor, është shumë e konsiderueshme dhe madje është në zgjerim edhe gjatë kësaj lufte.
Kështu, në vend që të tregojë një ndryshim zemre apo një shpërthim të rastësishëm emocional – gjë që ky postim nuk është, për shkak të mesazhit të mirëkalkuluar – ajo që Trump me të vërtetë po thotë është se ai po heq dorë nga kjo luftë.
Dëshmitë janë të qarta. Për fillim, postimi i tij ia kalon përgjegjësinë për ndihmën financiare dhe ushtarake Ukrainës vetëm BE-së dhe NATO-s, duke paralajmëruar gjithashtu se kjo do të kërkojë “kohë dhe durim”. Është me rëndësi edhe konteksti: kjo deklaratë erdhi në të njëjtën kohë me kërkesën e Trumpit që Evropa të ndalë të gjitha blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia. Në një plan më të gjerë, ky është reflektim i strategjisë amerikane për t’u tërhequr nga angazhimet globale dhe për t’u përqendruar më shumë në hemisferën perëndimore.
Një tjetër pikë kyçe është deklarata e Trumpit se SHBA do të vazhdojë t’u shesë armë vendeve evropiane të NATO-s, por nuk do të marrë pjesë në asnjë vendimmarrje ushtarake për përdorimin e tyre. Kjo nuk është një “dorë e lirë” për europianët ndaj Rusisë – është një tërheqje totale amerikane. Dhe kjo nuk është lajm i mirë për Europën.
Për sa i përket deklaratave që kanë ngjallur entuziazëm në qarqet strategjike europiane – si vlerësimi i Trumpit për shanset e Ukrainës apo problemet e Rusisë – ajo që shumica po injoron është sa të kujdesshme dhe të kushtëzuara janë në fakt fjalët e presidentit.
Të çlirohet e gjithë Ukraina? Është vetëm një “mundësi”, sipas Trumpit, që e shoqëron me fraza retorike si “pse jo?” dhe “kush e di?”. Rusia është “tigër prej letre”? Ai nuk thotë kurrë që është, vetëm që duket si e tillë. Dhe fjalia se Rusia ka luftuar “pa qëllim” – një pohim qartazi i rremë – duket më shumë si përpjekje për t’iu bërë qejfin kritikëve të tij, duke shmangur fjalorin që do të fyente realisht Moskën.
Ndoshta aspekti më domethënës i kësaj deklarate nuk është tërheqja de facto nga lufta, por nxitja publike që i bën Ukrainës për të “vepruar”. Kjo nuk është thirrje për ofensiva të reja ushtarake – Ukraina tashmë po bën gjithçka që mundet – por, me shumë gjasë, një ftesë e fshehur për diplomaci.
Mes rreshtave, këshilla e fundit e Trumpit për Ukrainën – ndërsa ai duket se largohet nga ky konflikt – është që vendi ndoshta ka një dritare të re (dhe ndoshta të shkurtër) për të kërkuar një kompromis paqeje me Rusinë, përpara se Putini të stabilizojë sërish ekonominë dhe përpara se pasojat politike dhe ushtarake të tërheqjes amerikane të ndihen plotësisht.
Sigurisht, nuk do të ketë kompromis, pasi palët e luftës si në Evropë ashtu edhe në Rusi mbeten përgjegjëse për ngjarjet, dhe i vetmi lojtar pro-paqes në lojë, Donald Trump, ka mbaruar me të gjitha këto. “Paçi fat të gjithë”, me të vërtetë.