Tentoi vetëvrasjen, flet babai i 15 vjeçares: Vajzën e ofenduan në klasë, i thanë “je e shpifur”

Ka folur për mediat babai i 15 vjeçares në Sarandë, e cila u hodh nga kati i katërt i banesës, pasi bullizohej nga bashkëmoshatarët.

Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë, pasi e reja ishte kthyer nga gjimnazi. Babai i saj tregon për mediat të gjithë dinamikën e ngjarjes, ku 15 vjeçarja, pasi ishte kthyer nga shkolla i ka thënë të vëllait se e kishin ofenduar në klasë duke e etiketuar si të shpifur.

Ky episod, i përsëritur ka mërzitur 15 vjeçaren, e cila teksa duhej të ishte për të festuar ditëlindjen e vëllait të saj, u hodh nga lartësia. Ajo u dërgua me urgjëncë në spital dhe babai i saj tregon se është në gjendje të mirë.

“Vajza është transportuar në spitalin e traumës në Tiranë. Nga spitali i Traumës me thonë se vajzës i janë bërë të gjitha ekzaminimet, ka qene në gjendje të mirë shëndetësore. Vjen në shtëpi dhe i thotë vëllait, një vajzë bashkë me një shokun e saj në klasë më ofendonte, më thoshte je e shpifur. Vëllai i thotë, mirë motër mos u mërzit se do t’i zgjidhim këto gjëra. Dje kisha dhe datëlindjen e djalit të vogël që mbushi 12 vjeç. Në ato momente, djali i madh po gatuante në kuzhinë, vajza për momentin u shtri. Në shtëpi ishim të gjithë. Kurse ish-bashkëshortja po bisedonte me një mësuese jashtë te dera. Për hatër të fëmijëve thashë të mblidhemi. Ndodhi e papritura. Nusja sa futet në korridor, bërtet, dëgjon një zhurmë nga ballkoni lart, edhe më thotë çfarë ra nga ato materialet e tua që ke në ballkon? Nuk ka gjë por shiko vajzën i thashë unë. Del në ballkon shikon vajzën shtrirë në këtë vendin këtu, edhe ulëret. Dalim të gjithë jashtë dhe marrim vajzën, mblidhen kalimtarë të rastit që i hodhën ujë, e përmendën. Pastaj kanë ardhur e kanë marrë dy inspektorë të policisë që ishin rastësisht këtu, morën ambulancën, erdhi ambulanca 7-8 minuta. E çuan në spital”.

Sipas babait, ky nuk rasti i parë ku vajza e tij bullizohet nga shokët dhe shoqet e klasës, pasi kishte ndodhur edhe kur ishte në 9 vjeçare.

“Vajza gjithmonë, që i jepja 5 mijë lekë në mëngjes, ma sillte përsëri në drekë dhe rrinte dhe pa ngrënë. I thosha pse nuk hëngre, jo babi jam kështu.. gjente pretekste, gjente arsye për t’u justifikua që nuk hante bukë. Ajo kishte arsye të tjera mesa shoh unë, sepse nuk është hera e parë që vajza vjen shumë e ndrojtur, shumë e frikësuar nga shokët ose shoqet në shkollë.

Është në vit të parë gjimnaz. E njëjta gjë i ndodhte dhe kur ishte në 9-vjeçare. Të tilla gjëra, por nuk më shprehej dhe aq shumë mua. Megjithatë, ne e kuptonim dhe i flisnim, bisedonim me të, e merrnim me dashuri, e nxirrja xhiro, i blenim gjërat që donte. Kohët e fundit ajo ishte…nuk del jashtë, sepse unë e di sa të dali e bullizojnë direkt. Djalin e vogël e kam pa shkollë për arsye bullizimi. Po ta çoj në shkollë, djalin do ma rrahin, do ma pështyjnë, do ma poshtërojnë. Nuk e di, edhe pse nuk e kuptoj pse ndodh. Edhe këtu në lagje, djalin unë e mbaj brenda në shtëpi. Dhe tani është në shtëpi. Unë mendoj që do ta heq vajzën fare nga shkolla për arsye bullizimi. Nuk ka korrektësi në shkolla. Mësuesja është një prind i dytë për fëmijën. Se nesër kur vajza del nga shkolla, unë nuk e di ku më shkon. Mund të shkojë në det të mbytet. Jam i detyruar t’i rri roje 24 orë”.