I dyshuar si ekzekutori i Gjin Boriçit, Apeli i Posaçëm lë në burg Denis Brajoviçin

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Denis Brajoviç, i cili u ekstradua në muajin korrik 2025 nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë.

Vendimi konfirmon masën e dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Brajoviç akuzohet për përfshirje në vrasjen e Gjin Ndojt, i njohur ndryshe si Gjin Boriçi, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2020 në Vaun e Dejës.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimeve të dosjes “Metamorfoza”.

Sipas hetimeve të bazuara në komunikimet e dekoduara në aplikacionin e enkriptuar “Sky ECC”, dyshohet se urdhri për eliminimin e Ndojt është dhënë nga Behar Bajri, ndërsa Denis Brajoviç ka qenë ekzekutori i ngjarjes.

Brajoviç ndodhet aktualisht në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje vijojnë nën drejtimin e SPAK.