Seanca plenare e ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me debate të shumta, ku deputetët opozitarë kanë kërkuar përsëritjen e seancës së kaluar, ku qeveria duhet të shpalosë programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme dhe të gjithë deputetët kanë të drejtën të diskutojnë.
Deputetët opozitarë kanë akuzuar Peleshin se nuk i ka lejuar ata të flasin dhe të diskutojnë, por ka zbatuar urdhrin e Edi Ramës duke e mbyllur seancën pas vetëm 25 minutash.
Belind Këlliçi u shpreh se seanca e kaluar ishte një njollë turpi për Kuvendin dhe Partinë Socialiste, teksa kërkoi të korrigjohej procesverbali dhe të përsëritej seanca e kaluar.
“Nuk mund ta kaloni këtë seancë sikur gjithçka është normale. Ju thoni që do të hedhim procesverbalin për votim dhe sikur qytetarëve t’u tregojmë sikur jemi Kuvend demokratë. Ai procesverbal që doni të votoni, doni të harroni atë seancë që kaloi. Në shkelje të premtimit që dhatë në atë seancë, para se t’i jepnit fjalën zotit Bardhi, ia dhatë fjalën zotit Balla. Që të kalojë seanca e seancave më e rëndësishmja e 4 viteve, vetëm në 25 minuta dhe të dëgjohen vetëm socialistët, kjo është një njollë turpi për këtë Kuvend dhe për ju. Ai procesverbal nuk tregon të vërtetën, deputetët e opozitës, dhe ju vetë. Ju korrigjoni procesverbalin dhe rregulloheni.”, tha ai.
Kundër deputetëve opozitarë doli kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili i cilësoi deklaratat e tyre të pabaza dhe tha se gjithçka në seancën e kaluar ka qenë brenda rregullores.
“Ky moment procedural i seancës është i rregulluar nga Rregullorja e Kuvendit. I hodha një sy me vëmendje procesverbalit të seancës së fundit dhe nuk më rezulton që ndonjë deputet që ka marrë fjalën sot, të ketë qenë folës në seancën e kaluar,” deklaroi Balla.