EMRI/ I akuzuar për 20 raste vjedhjesh, arrestohet 48-vjeçari i shumëkërkuar

Policia e Tiranës ka arrestuar Marjan Hemën, 48 vjeç, i shpallur në kërkim kombëtar për një seri vjedhjesh automjetesh, motorësh dhe targash në disa qytete të vendit. Ai akuzohet për të paktën 20 raste të dokumentuar vjedhjesh dhe kërkohej nga Policia e Kuçovës.

Sipas hetimeve, Hema vepronte me një skemë të mirëorganizuar: vidhte automjete dhe motorë në një qytet, më pas udhëtonte drejt qyteteve të tjera ku vidhte targa, të cilat i montonte në mjete të tjera ose dyshohet se i shiste në rrjete kriminale për qëllime të paligjshme.

Në disa raste, ai modifikonte vetë targat për të shmangur identifikimin, duke ndryshuar shkronja, si në një rast kur e ktheu “R”-në në “P”. Hetuesit po verifikojnë nëse targat dhe mjetet e vjedhura janë përdorur në ngjarje të rënda kriminale.

Gjatë ndalimit, Hema dha deklarime kontradiktore, duke pretenduar se motorin e kishte blerë, por mohoi se ishte i vjedhur. Ai ka precedentë të mëparshëm penalë, kryesisht për vepra kundër pronës.