Evis Sala është prezantuar sot si Ministrja e re e Shëndetësisë, ku gjatë fjalës së saj foli ehde për objektivat që ajo synon.
Në krah të kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu, Sala tha se fokusi i saj është në zgjidhjen sa më parë të rimbursimit të barnave onkologjike, duke e konsideruar si një sfidë.
Sala tha se me këtë post që ka marrë i është futur një oqeani të madh, por beson te puna në grup. Ndërkohë premtoi se do të mbajnë në Shqipëri mjekët e rinj.
“Ajo që dua të fokusoj punën time, mendoj që është e rëndësishme zgjidhja sa më parë e rimbursimit të barnave onkologjike. E palejueshme për ne që barnat onkologjike nuk janë plotësisht të rimbursueshme. Kjo është një sfidë edhe e imja. Është e bëshme.
Shumë kyç është riorganizimi i shërbimit parësor dhe diagnostikues, do shpëtojë shumë jetë dhe do ulë fluksin në spitale. Nuk mundet që çdo spital të jetë i mbingarkuar. Diagnostika e përparuar shumë është një fushë që unë e njoh mirë, me inteligjencë artificiale mund të bëjmë një hap shumë të madh e të arrijmë atje. Shqiptarët janë shumë kreativë. Prandaj nuk ka pse mos përdorim burimet tona që i kemi. Inteligjenca artificiale do që të dhënat të jenë të dixhitalizuar përpara. Në spitale do organizojmë sa më shpejt ekipet për disa procedura që duhen kryera patjetër në spitale. Do mbyllim rrjedhjen e mjekëve të rinj. Mjeku i mirë shqiptar duhet të vlerësohet edhe këtu si në vendet e tjera. Asnjë gjë nuk bëhet vetëm, prandaj këtij oqeani të madh që i jam futur, do t’i futemi të gjithë bashkë. Është shumë e vështirë por nuk është aq e vështirë nëse bashkohemi të gjithë, asnjë gjë nuk është e pamundur”, tha ministrja Sala.