Ogerta Manastirliu, shansi i opozitës për të fituar Bashkinë e Tiranës

Ogerta Manastirliu është emri që Rama zbuloi në Asamblenë Socialiste si kandidaten e PS në zgjedhjet për Bashkinë Tiranë, ku fillimisht kërkoi shkarkimin e Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg që prej muajit shkurt të këtij viti.

Vendimi ishte surprizë edhe për Manastrliun, të cilën e “tradhëtoi” fytyra duke shprehur hapur mërzinë që fatin që kryetari i saj kishte vendosur.

Manastirliu është një nga njerëzit më të besuar të Ramës, që në kohën kur ky i fundit drejtonte Bashkinë e Tiranës, por njëkohësisht është një nga kandidatet e dobëta të PS për të fituar Bashkinë më të madhe në vend.

Gjatë qeverisjes së Ramës, Manastirliu ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit, ku nuk kanë munguar skandalet ndaj saj, që duket se do të jenë si një hije e zezë në kandidaturën si kryebashkiake e Tiranës.

Akuzat ndaj Manastirliut kanë qenë për keqpërdorim fondesh dhe korrupsion teksa ishte në krye të Shëndetësisë. Kritika pati edhe për mënyrën e menaxhimit të pandemisë Covid-19 ku u akuzua nga opozita se fshehu numrin real të të vdekurve, si një formë për të mos zbuluar dështimin e qeverisë.

Në kohën kur drejtoi Ministrinë e Arsimit, u zbulua skandali i lëshimit të diplomave false nga kolegji privat WISDOM ndërsa Shqipëria arriti një ndër rezultatet më të dobëta në testin e PISA-s, që tregon sërish dështimin e saj në drejtimin e këtij institucioni.

Përveç këtyre “njollave”, Manastirliu mbetet një kandidate e dobët për socialistët pasi ajo nuk ka elektoratin e Erion Veliaj dhe lidhjet e fuqishme që kishte krijuar me biznesmenë, një pjesë e të cilëve janë në dosjen e tij.

Një tjetër faktor që e penalizon Manastirliun është fakti se ajo nuk ka administratën e Bashkisë në krahun e saj, pasi një pjesë e madhe e tyre janë punësuar nga Veliaj dhe rrethi i tij i ngushtë.  

Ndërkohë, ekziston edhe mundësia që shumë mbështetës së Veliajt, të mërzitur për arrestimin dhe gjyqin e tij, të vijojnë t’i qëndrojnë besnikë duke mos e mbështetur Manastirliun.

Edhe për opozitën, Ogerta Manastirliu është një kandidate e dobët për Tiranën, edhe pse ata vetë nuk kanë folur ende me emra se kush do të jetë përballë saj.

Jorida Tabaku, kandidatja më potenciale dhe më e përfolur nga e djathta tha publikisht se nuk do të bëhet pjesë e garës. Po ashtu një ndër emrat e përfolur ka qenë edhe Ilir Alimehmeti, mjeku i cili ngeli jashtë Kuvendit në zgjedhjet e 11 Majit, por ai ka thënë se është një çështje që do të diskutohet.

Ndaj përballë një kandidateje si Manastirliu, opozita duhet t’i bëjë mirë llogaritë për të gjetur një kandidat që përfaqëson qytetarët e Tiranës, pse jo një kandidat jo politik!