Autoritetet kanadeze kanë identifikuar një person të dyshuar në lidhje me vrasjen e shqiptarit Paulin Harusha, 43-vjeçarit me origjinë nga Shkodra, i cili u gjet i vdekur më 13 shtator në qytetin e Torontos.
Sipas raportimeve të mediave lokale, i dyshuari është 34-vjeçari Meelad Tarin. Policia ka lëshuar ndaj tij një urdhër-arresti kombëtar, që është në fuqi në të gjithë territorin e Kanadasë.
Hetuesit kanë arritur ta lidhin Tarin me vendngjarjen përmes një fuoristrade, e cila është larguar nga zona ku ndodhi vrasja, vetëm pak çaste përpara mbërritjes së forcave të policisë.
Paulin Harusha u gjet i qëlluar për vdekje me armë zjarri brenda mjetit të tij, në një rrugë të zonës perëndimore të Torontos. Deri më tani, autoritetet dyshojnë se viktima dhe i dyshuari kishin njohje mes tyre, megjithëse motivi i krimit mbetet ende i paqartë.
Policia e Torontos ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të çojë në kapjen e Tarin, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.