Lufta ndaj krimit në plan të dytë, Rama i kërkon Albana Koçiut të merret me adresat dhe zjarrfikësit

Prej vitit 2013 kur mori pushtetin, kryeministri Edi Rama premtonte luftë ndaj krimit të organizuar në çdo prezantim ministri të Brendshëm, por këta të fundit u larguan me radhë pa lënë gjurmë, disa të përfshirë me krimin, e të tjerë të paaftë për ta luftuar atë.

Pas 12 viteve në pushtet dhe me fillimin e një 4-vjeçari tjetër qeverisës, duket se edhe vetë kryeministri Rama është dorëzuar duke u kërkuar ministrave të Brendshëm të luftojnë krimin, pasi mesa duket është i bindur që nuk kanë për ta bërë ndonjëherë.

Ndaj, sot në prezantimin e ministres së re të Brendshme, Albana Koçiut, kreu i qeverisë e ka vënë theksin te disa çështje të tjera me të cilat do të duhet të merret Koçiu, siç janë sistemi i adresave dhe shërbimi zjarrfikës.

“Punët e brendshme nuk janë kurrësesi thjesht dhe vetëm punët e policisë së shtetit, pavarësisht se zë sferën më të madhe të punëve të brendshme. Por ka ardhur koha që askush të mos verë në diskutim as faktin tjetër që ligji ynë dhe praktika e kudondodhur e thonë , Ministria e Punëve të Brendshme, nuk bën punë policore dhe ministrja nuk është kryepolici i vendit.

Për një sërë nevojash të mëdha serioze të paadresuara prej dekadash, ndryshimi radikal i profilit të ministrit të punëve të brendshme është pikënisja e ndryshimit që ministrja duhet të sjellë në mbarëvajtjen e punëve të brendshme.

Si rezultat i fokusimit të kësaj ministrie, ekskluzivisht te policia, sot e gjithë ditën 35 vjet transformime demogradike, që nga Tirana që janë sot shumë më të mëdha seç ishin 35 vite më parë, nuk e kemi ende një sistem funksional integral adresash. Ende sot, na e gjejnë shtëpinë me të pyetur apo me shenja në rrugë. Lum ata që kanë pallat me shigjeta, ose sot kemi një sistem të prapambetur zjarrfikësash me gjithë ndryshimet e pamohueshme që kanë ndodhur por në këtë mandate të katër duhet të na interesojnë ndryshimet që duhet të ndodhi, zjarrfikësat janë lënë në plan të dytë. Problemi më i madh sot i shfaqur qartësisht në verën që po kalon dhe do jetë problem qendror në vitet në vijim janë zjarret”, tha Rama.