Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja që kërkonte nisjen e hetimit disiplinor për prokurorn Elsa Gjeli, e cila u sulmua publikisht nga kryeministri Edi Rama në korrik të këtij viti pasi ajo nuk nisi hetimet për disa shtëpiza druri në zonën e Thethit.
Pas shqyrtimit të ankesës së Ministrit Manja, që erdhi po ashtu me kërkesë të Ramës, ILD thotë se nuk konstatohen elementë juridikë apo faktikë për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates Gjeli.
Kjo do të thotë se ndryshe nga çfarë pretendonte Rama, ILD thotë se nuk ka arsye që ndaj prokurores të merren masa.
Për këtë arsye, ILD ka marrë vendimin për të arkivuar ankesën e bërë nga Ulsi Manja.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama e sulmoi publikisht prokuroren Elsa Gjeli, e cila me mosfillimin e procedimeve penale për ndërtimet në Theth ka dëmtuar interesin e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. Sipas Ramë, prokurorja Gjeli nuk e meriton të paguhet nga taksat e shqiptarëve.

