Kreu i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi sot një takim zyrtar me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VarnHorn, ku u diskutua bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare të drejtësisë dhe agjencive amerikane të zbatimit të ligjit.
Në njoftimin e bërë publik nga ambasada amerikane, theksohet mbështetja e vazhdueshme e SHBA ndaj punës së SPAK dhe BKH, në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikut të drogës.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe mbi vizitën e fundit të Dumanit në Uashington, ku ai është takuar me zyrtarë të lartë të Administratës Trump në Departamentin e Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare që bashkëpunojnë me SPAK në përparësitë tona të përbashkëta për të goditur organizatat e rrezikshme kriminale ndërkombëtare që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Ky takim vjen në një moment kur lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioritet i lartë për të dy vendet.