Erion Veliaj në kërkim të lirisë, më 2 Tetor shqyrtohet kërkesa e kryebashkiakut në Gjykatën e Lartë

Me datë 2 Tetor do të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë kërkesa e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkon të dalë nga burgu.

Veliaj, i cili ndodhet në qeli që prej shkurtit të 2025-ës, kundërshton masën “arrest me burg” që GJKKO ka caktuar ndaj tij.

Kryebashkiaku kërkon të dalë nga burgu dhe procesi ndaj tij të zhvillohet me një masë më të butë sigurie. Mësohet se relatore e çështjes është zgjedhur gjyqtarja Albana Boksi.

Kujtojmë se SPAK ka përfunduar hetimet paraprake dhe dërguar për gjykim dosjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj të cilit rëndojnë 13 akuza.

Veliaj, njofton SPAK akuzohet për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, fshehje pasurie, futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara dhe shpërdorim detyre.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehja e të ardhurave.

Pjesë e dosjes “Veliaj” janë edhe 28 persona e shoqëri, mes tyre edhe socialistja Klotilda Bushka, e cila akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” si dhe biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu dhe Mirton Lika