Tjetër tentativë mashtrimi, Autoriteti për Sigurinë Kibernetike paralajmëron qytetarët: Mos hapni linqe të dyshimta

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka njoftuar qytetarët mbi një fushatë mashtruese të quajtur “smishing”, nëpërmjet së cilës dërgohen mesazhe SMS që pretendojnë se janë gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Mesazhet përmbajnë një link mashtrues dhe kërkojnë pagesa online për gjoba të paqena.

AKSK sqaron se ky komunikim nuk është zyrtar dhe u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë linkun, të mos japin të dhëna personale dhe të mos kryejnë asnjë pagesë.

Autoriteti thotë se ka marrë masa të menjëhershme për raportimin dhe bllokimin e faqes mashtruese, për të parandaluar dëme të mundshme.

Apeli i AKSK për qytetarët:

  • Mos hapni linqe të dyshimta nga SMS apo email-e të panjohura.
  • Kryeni pagesa vetëm në faqet zyrtare të institucioneve shtetërore.
  • Njoftoni menjëherë AKSK ose autoritetet përkatëse nëse merrni mesazhe të tilla.