Vangjush Dako do rikthehet në burg, Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për ish-kryebashkiakun socialist të Durrësit, Vangjush Dakon.

Vangjush Dako akuzohet për shpërdorim detyre në 2 raste, teksa u dënua në 25 Nëntor të vitit 2024, por e apeloi çështjen nga qelia, pasi gjykata e kishte vendosur nën masë sigurie “arrest me burg”.

Njëri prej rasteve ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015.

Për shkak të mbarimit të afateve, Dako u la në “arrest shtëpie” nga 27 Shkurti i këtij viti, por vendimi i Apelit do ta rikthejë sërish atë në qeli, pasi i ka mbetur edhe një pjesë e dënimit për të shlyer.

Njoftimi i Gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më datë 16.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve/ankues V.D., F.F., A.B., ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

1. Mospranimin e ankimit të të pandehurit F.F. ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;
4. U shpall në Tiranë, sot më datë 16.09.2025