Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur një padi për shpifje ndaj gazetës “New York Times“, duke kërkuar 15 miliardë dollarë dëmshpërblim. Ai e akuzon gazetën si “zëdhënëse të Partisë Demokrate” dhe për përhapje të lajmeve të rreme dhe shpifëse ndaj tij.
Padia lidhet me një artikull për një kartolinë fyese për ditëlindje drejtuar Jeffrey Epstein-it, që përmban firmën e Trump, por ai mohon ta ketë shkruar. Artikulli u pasua nga një raportim i Wall Street Journal, të cilin Trump gjithashtu e ka paditur.
Padia, e paraqitur në një gjykatë në Florida, përfshin disa artikuj dhe një libër të gazetarëve të NYT, Susanne Craig dhe Russ Buettner, të publikuar para zgjedhjeve të vitit 2024. Trump akuzon gazetën për përpjekje për të ndikuar në zgjedhje dhe për shpifje të qëllimshme dhe afatgjatë kundër tij.
Gazeta ende nuk ka reaguar. Ndërkohë, Trump në rrjetin e tij Truth Social e quajti NYT “një nga gazetat më të degjeneruara në historinë e SHBA-së”.
Kjo është një nga disa padi të mëdha që Trump ka ndërmarrë kundër mediave amerikane, përfshirë ABC News, Paramount dhe Wall Street Journal. Disa prej tyre janë zgjidhur me marrëveshje financiare, ndërsa të tjera janë ende në proces.